Kërkesat për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian ishin në vitin 2022 më të lartat e tre viteve të fundit, sipas raportit vjetor të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), publikuar të mërkurën.
Sipas raportit në vitin 2022 u shënuan 13.043 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë nga 11,210 që ishin shënuar në vitin 2021 dhe 6.498 në vitin 2020.
“Edhe pse jo në nivele rekord, kishte dukshëm më shumë aplikantë nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova,” pohon raporti.
Këto vende, si dhe Gjeorgjia, India, Maroku, Tunizia dhe Moldavia konsiderohen të sigurta nga shumë vende të Bashkimit Evropian, thuhet në raport.
Por ndërsa kërkesat për azil të shqiptarëve mbeten të larta njohja e statusit të refugjatit është në nivele tejet të ulta.
Sipas raportit të Agjencisë evropiane për Azilin në vitin 2022 u dhanë 12.011 vendime nga të cilat 11.234 ishin negative dhe vetëm 219 persona e përfituan statusin e refugjatit dhe 558 morën statusin e mbrojtjes plotësuese.
Në vitin 2022 rreth 4.352 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian janë ende në pritje për t`u shqyrtuar dhe përbëjnë rreth 6% të aplikimeve totale.
Edhe në vitin 2021 niveli i refuzimit të azilit për shqiptarët ishte shumë i lartë në raport me kërkesat.
Nga 8165 vendime të dhëna në vitin 2021 rrreth 7715 ishin negative, 137 kishin të bënin me njohjen e statusit të refugjatit dhe 313 persona kishin marrë mbrojtje plotësuese.
Raporti i Agjencisë Evropiane për Azilin vlerëson se në vitin 2022 vendet e Bashkimti Evropain morën rnë total rreth 966 000 kërkesa për azil.
Sipas raportit rreth 4 milion persona që u larguan nga Ukraina pas agresionit rus përfituan nga mbrojtja e përkohshme në fund të vitit 2022, ndërsa 966 000 persona të tjerë kërkuan azil gjatë vitit.
Grupet më të mëdha të aplikantëve për azil në vendet e Bashkimit Evropian sipas raportit ishin sirianë, afganë, turq, venezuelianë dhe kolumbianë.
Raporti vlerëson se rreth 43 000 aplikantë pretenduan se ishin të mitur të pashoqëruar.
Autoritetet e azilit të Bashkimit Evropian lëshuan rreth 632 000 vendime të shkallës së parë në vitin 2022 ndërsa hendeku midis vendimeve të nxjerra dhe kërkesave të paraqitura ishte më i madhi që nga viti 2015.
Shkalla e njohjes së statusit të refugjatit në Bashkimit Evropian ishte 40 % në vitin 2022 me pesë pikë përqindjeje më shumë nga viti 2021 dhe më e larta në pesë vitet e fundit.
Sipas raportit për vitin 2022 të Agjencisë evropaine të Azilit normat e njohjes ishin veçanërisht të larta për sirianët, bjellorusët, ukrainasit, eritreasit, jemenasit dhe malianët./VOA