SHQIPËRI

Rama takon kryeministrin japonez/ Japonia, ambasador përgjegjës për Ballkanin. Do heqë edhe vizat

Gjatë vizitës së tij në Japoni, në kuadër të 42 vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy shteteve Shqipëri- Japoni, kryeministri Rama zhvilloi një takim edhe me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida.

Pas takimit dypalësh, dy kryeministrat dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp:

 Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama: Faleminderit Kryeministër!

Më lini të shpreh sërish mirënjohjen time më të thellë për ftesën tuaj dhe për mikpritjen mjaft të ngrohtë me të cilën jemi hasur që në minutën e parë që kemi zbritur në tokën e vendin tuaj të mrekullueshëm.

Japonia është një vend që ne e respektojmë dhe e adhurojmë. Të jesh këtu, të ndajmë pikëpamjet tona me homologët japonezë dhe të diskutojmë së bashku për të ardhmen tonë të përbashkët, është një përvojë mjaft përulëse për të gjithë ne.

E vizitoj Japoninë pasi kam fituar tre zgjedhje dhe uroj shumë që ju Kryeministër të vizitoni Shqipërinë dhe rajonin së shpejti. Është lajm i shkëlqyer të dëgjosh se qeveria juaj angazhohet të emërojë një  ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, pasi siç e përmenda gjatë bisedës tonë, është e një rëndësie thelbësore që Japonia të jetë më e pranishme në rajonin tonë.

Ne jemi së bashku në Këshillin e Sigurimit dhe siç ju e thatë, kemi bashkuar forcat për të mbështetur Ukrainën dhe bashkërisht dënojmë agresionin rus. Është një shkelje tërësisht e papranueshme e së drejtës ndërkombëtare dhe krejtësisht një sulm i papranueshëm kundër një vendi tjetër e integritetit të tij territorial. Kështu që do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me miqtë dhe aleatët tanë japonezë në Këshillin e Sigurimit dhe jemi shumë, shumë të nderuar që e bëjmë këtë.

Siç e përmendi kryeministri, kemi parë me shumë interes strategjinë kombëtare të mbrojtjes që ai ka hartuar dhe i shpreha vlerësimet e mia më të larta për këtë dokument mjaft të plotë që përfshin çështjet e këtyre kohëve kaq shqetësuese në mënyrë kaq frymëzuese.

Do të doja që ta përmbyllja pjesën time duke u bashkuar me kryeministrin e nderuar për të theksuar nevojën dhe dëshirën për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, për forcimin e bashkëpunimin tonë dypalësh dhe për të parë që të ketë më shumë gjëra që ndodhin mes dy vendeve tona.

Vërtetë ne jemi larg gjeografikisht, jemi ndryshe, në kuptimin që Japonia është e madhe dhe ne jemi të vegjël, Japonia është e pasur, ne nuk jemi aq të pasur, por në një botë që është e përshirë gjithnjë e më tepër nga shqetësimet, nga krizat e papritura ne besojmë se më shumë se sa dallimet, ajo që na bashkon janë vlerat dhe të jesh pjesë e kësaj familjeje vlerash është shumë më e rëndësishme sot se dje dhe mund të jetë më e rëndësishme nesër sesa sot.

Kështu që duke shpresuar se së shpejti qeveria japoneze do të bëjë të mundur që shqiptarët të  udhëtojnë pa viza në Japoni ashtu siç japonezët mund ta bëjnë tashmë drejt Shqipërisë, ne presim me padurim që ky bashkëpunim të forcohet dhe edhe një herë dua të falënderoj  me gjithë zemër kryeministrin, ambasadorin japonez në Shqipëri, të gjithë ata që janë treguar kaq të sjellshëm me ne gjatë këtij qëndrimi të shkurtër në Tokio dhe po ashtu të gjithë gazetarët e pranishëm këtu.

 Kryeministri i Japonisë Fumio Kishida: I uroj mirëseardhjen kryeministrit të Shqipërisë Rama në vizitën e tij në Japoni, për herë të parë pas 15 viteve për një kryeministër shqiptar.

Japonia dhe Shqipëria janë vende me mendësi të ngjashme që bashkëndajnë vlerat themelore. Të dyja vendet tona janë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtë vit. Unë pata një takim më herët me zotin Rama ku shkëmbyem drejtpërdrejtë në mënyrë të sinqertë pikëpamje për marrëdhëniet dypalëshe si edhe për çështje të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjatë takimit tonë, ne ramë dakord të dënojmë me forcë agresionin rus kundër Ukrainës, që është një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare, që dhunon dhe cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Unë shpreha se si vendi i vetëm që ka vuajtur shkatërrimin e bombardimeve atomike gjatë luftës,  Japonia kurrë nuk mund të pranojë kërcënimet ruse për armët bërthamore e jo më përdorimin e tyre. Duke punuar në partneritet me shoqërinë ndërkombëtare ne do të vazhdojmë të përçojmë një mesazh të qartë për këtë.

U shpreha po kështu se Japonia në presidencën e G7 këtë vit të ushtrojë udhëheqjen e saj për të hartuar  sanksione të ashpra Rusisë dhe për t’i dhënë ndihmë Ukrainës. Ne ramë dakord se vendet tona duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë përfshirë rezolutën që do të nxirret nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Më tej, në fushën ekonomike në bëmë një vlerësim të situatës të marrëdhënieve midis dy vendeve duke përfshirë edhe importin e tonit nga Shqipëria në Japoni, gjithashtu edhe ngritjen e Dhomës së Tregtisë Shqipëri- Japoni. Jemi shpresëplotë që me vizitën e kryeministrit Rama këtë herë do të kemi një nxitje të eksporteve nga Shqipëria si dhe investimeve nga Japonia.

Realizimi i paqes dhe prosperitetit rajonal në Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, është e rëndësishme jo vetëm për Evropën, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi, përfshirë Japoninë.

Nga ky këndvështrim përmes nismës për bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor, Japonia synon të forcojë mbështetjen tonë për reformat e nga vendeve të Ballkanit Perëndimor në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar, për t’u anëtarësuar në BE dhe do të vendosë një ambasador përgjegjës për Ballkanin Perëndimor.

Pas kësaj konference për shtyp, me kryeministri Rama do të diskutojmë gjatë darkës për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Japonisë dhe rolin që ka Shqipëria për pajtimin etnik. Ne do të diskutojmë mjedisin e vështirë të sigurisë në Paqësor dhe në rajon.

Synoj që t’i shpjegoj Kryeministrit strategjinë kombëtare të sigurisë që ka miratuar qeveria jonë duke njohur këtë situatë aktuale dhe në fakt mësova që ai, gjatë takimit pra, e kuptonte ose më mirë e dinte një gjë të tillë. Unë shpresoj që përmes vizitës së zotit Rama ne të forcojmë bashkëpunimin midis dy vendeve.