Ish-sulmuesi i Interit dhe i Kombëtares braziliane, Adriano festoi të premten ditëlindjen e tij të 41-të. Një ditë feste dhe argëtimi e cila shpejt u kthye në një makth të vërtetë për ish-lojtarin e datëlindjes 1982.
Bashkëshortja e Adrianos, Micaela Mesquita, në fakt i është drejtuar rrjeteve sociale për të informuar ish-sulmuesin që t’i dërgojë sa më shpejt të gjitha dokumentet e nevojshme për divorc. Arsyeja është e bujshme.
Ish-lojtari u sulmua rëndë nga gruaja e tij pasi publikoi një fotografi që e shfaqte në shoqërinë e një vajze flokëkuqe në një jaht, e identifikuar si Raquel Bastos.
Sipas burimeve braziliane, Adriano ka festuar ditëlindjen e tij të 41-të duke konsumuar disa shishe shampanjë me vlerë rreth 3000 euro. E tërbuar, bashkëshortja e tij Micaela ka reaguar duke i dërguar një mesazh Adrianos.
“Oh sa bukur! Të uroj gjithë lumturinë në botë. Adriano, më dërgo letrat e divorcit”, ka shkruar gruaja në një histori të publikuar në profilin e saj në Instagram.
Më pas, Micaela i ka uruar ditëlindjen Adrianos në mënyrën e saj unike. “Përveç kësaj, nuk e harroj kurrë takimin e sotëm. Gëzuar ditëlindjen! Je… idiot”.
Ndërsa, Adriano u përgjigj kështu: “Të uroj gjithë lumturinë në botë dhe edhe nëse të lëndoj të uroj gjithë të mirat”.
Ndërkohë Raquel Bastos mohoi zërat për një lidhje me ish-sulmuesin e Interit.