Një gjykatës federal në Florida urdhëroi të enjten, ish-presidentin Trump dhe avokatët e tij të paguajnë mbi 937 mijë dollarë sanksione.
Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut, Donald Middlebrooks vendosi se ata kryen një “model të vazhdueshëm të keqpërdorimit të gjykatave” me qëllim që të avanconin në mënyrë të pandershme një narrativë politike në padinë e tij kundër Hillary Clinton.
Padia e Trump e akuzonte pa bazë Clintonin, fushatën e saj dhe demokratët e tjerë se po punonin për të përshkruar një narrativë të rreme rreth marrëveshjes së dyshuar të Trump me Rusinë për të fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Sipas urdhrit të së enjtes, Trump dhe avokatja e tij kryesore, Alina Habba nga ‘Habba Madaio & Associates’, janë bashkërisht dhe individualisht përgjegjës për 937,989.39 dollarë.
“Ky rast nuk duhet të ishte ngritur kurrë. Papërshtatshmëria e tij si një pretendim ligjor ishte evidente që në fillim,” shkroi Middlebrooks, një i emëruar nga Clinton, në dosjen 46 faqesh, shkruan mediumi Axios.
Ekipi ligjor i Trump tha më parë se do të apelonte vendimin pasi Middlebrooks hodhi poshtë padinë.