BOTA

ShBA rrëzon edhe një tjetër trup të paidentifikuar në hapësirën ajrore të Kanadasë

Një avion luftarak amerikan qëlloi mbi një objekt të paidentifikuar i cili ishte në hapësirën ajrore të Amerikës së Veriut.

Kjo u bë e ditur edhe nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau gjatë ditës së shtunë.

” Urdhërova të rrëzohej një objekt i paidentifikuar që shkeli hapësirën ajrore kanadeze,” shkroi Trudeau në Twitter.

Një aeroplan luftarak amerikan F-22 me Komandën e Mbrojtjes Aerohapsinore të Amerikës veriore (NORAD), i cili mbron hapësirën ajrore kanadeze dhe amerikane, e rrëzoi objektin mbi Yukon të Kanadasë

Trudeau tha se kishte biseduar me presidentin amerikan, Joe Biden, të shtunën pasdite dhe se forcat kanadeze do të veprojnë dhe do ta analizojnë objektin.

Ministrja kanadeze e mbrojtjes Anita Anand nuk pranoi të spekulonte rreth origjinës së objektit, që sipas saj ishte në formë cilindrike.

Ajo nuk e përshkroi atë si një tullumbace por tha se ishte më e vogël se balona kineze e rrëzuar në brigjet e Karolinës së Jugut një javë më parë, por e ngjashme në pamje.

Anand potencon se ky trup i paidentifikuar përbënte një rrezik për trafikun ajror civil.

“Nuk ka arsye për të besuar se ndikimi i objektit në territorin kanadez është i ndonjë shqetësimi publik,” i tha Anand një konference shtypi.

Rrëzimi i objektit të fundit mbi Kanada vjen pak më shumë se 24 orë pasi ushtria amerikane rrëzoi një objekt tjetër  që ishte në hapësirën ajrore të Alaskës.

Një avion luftarak amerikan F-22 ka rrëzuar objektin e paidentifikuar në Deadhorse të Alaskës përgjatë bregut verior të shtetit gjatë të premtes pasdite.

Zyrtarët thanë se objekti hyri në hapësirën ajrore të SHBA por po shkonte drejt polit verior në 20 deri në 40 mph.

Në një njoftim për shtyp të Shtëpisë së Bardhë të premten pasdite, zëdhënësi i këshillit kombëtar të sigurisë John Kirby e përshkroi objektin si të ishte sa madhësia e një makine të vogël dhe tha se po fluturonte në një lartësi prej 45,000 ft, niveli i një avioni komercial.

Në një deklaratë  NORAD dhe komanda veriore e SHBA thanë se ata, së bashku me Gardën Kombëtare Bregdetare të Alaskës, FBI dhe forcat lokale të rendit, po kryenin veprimtari kërkimi dhe rimëkëmbjeje të objektit.

Shkatërrimi I këtyre trupave të paidentifikuar mbi Kanada dhe Alaskë vjen një javë pasi ushtria amerikane rrëzoi një tullumbace spiune kineze në brigjet e Karolinës së Jugut më 4 shkurt, raporton The Guardian.

Ndonëse zyrtarët kinezë kërkuan ndjesë për tullumbacen dhe thanë se ishte një aerostat civil që kishte për qëllim kërkimin e motit, zyrtarët e SHBA-së thonë se balona mbante pajisje të afta për të interceptuar dhe gjeolokuar komunikimet dhe nuk kishte pajisje në përputhje me balonat e motit.

Zyrtarët e SHBA thonë se balona ishte pjesë e një flote që është përdorur për të mbledhur inteligjencën në më shumë se 40 vende në pesë kontinente. Ata i përmbahen asaj se balonat shkuan në hapësirën ajrore të SHBA të paktën tre herë gjatë presidencës së Donald Trump dhe dy herë deri tani gjatë asaj të Biden.

Pavarësisht teknologjisë së bartur nga balona, Pentagoni tha se balonat nuk i japin Kinës ndonjë kapacitet për mbledhjen e inteligjencës përtej teknologjisë ekzistuese, të tilla si satelitët.

Shfaqja e balonës kineze mbi hapësirën ajrore të SHBA ka shkaktuar një çarje në marrëdhëniet e tendosura dhe delikate midis qeverive kineze dhe të SHBA.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, shtyu një udhëtim në Pekin, që do të ishte vizita e parë në vend nga një diplomat i lartë amerikan që nga viti 2018. Blinken tha se balona spiune ishte “një akt i papërgjegjshëm dhe një shkelje e qartë e sovranitetit të SHBA dhe ligjit ndërkombëtar që prishi qëllimin e këtij udhëtimi”.

Related posts

Agjencia franceze anti-korrupsion thotë se ‘sistemi i drejtësisë në vend ka kapitulluar ndaj korrupsionit’

admin

Putin kërkon bashkëpunim më të madh me Korenë e Veriut

admin

Kapërcimi i vetos turke dhe përgjigjja ndaj sulmeve ruse! NATO detajon planet e mbrojtjes para Samitit të Vilnius

admin

Leave a Comment