Operatorët telekomunikues në mbarë botën njoftojnë mbylljen e rrjetit 3G, që nënkupton fundin e jetës së kësaj teknologjie. Ky ndryshim sjell shërbime shumë më cilësore për përdoruesit. Në vijim do t’ju tregojmë se si do të ndikojë largimi i rrjetit 3G tek përdoruesit dhe pse mbyllja e tij është e nevojshme pikërisht tani.
Në një botë që ka filluar tashmë migrimin në standardin e rrjetit 5G, shumica prej nesh posedojnë pajisje që punojnë në teknologjinë 4G/LTE dhe numri i pajisjeve 5G po rritet çdo ditë. Në të ardhmen, teknologjia 4G/LTE do të jetë bartëse për transmetimin e shërbimeve zanore (VoLTE), ndërsa të dyja teknologjitë (4G dhe 5G) do të jenë bartëse për transmetimin e shërbimeve të të dhënave. Për shkak të kësaj, pajisjet duhet të përditësohen për të përdorur këto teknologji dhe kartat e vjetra SIM duhet të zëvendësohen me të reja.
Teknologjia 3G është mbi 15 vjet e vjetër. Për herë të parë është futur në përdorim global në vitin 2006, ndërsa në Maqedoni në vitin 2009 nga Makedonski Telekom. Pajisjet e reja që prodhohen janë të fokusuara në ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë nëpërmjet teknologjive të reja, sepse rrjeti 3G nuk mund t’i përgjigjet kërkesave teknologjike gjithnjë e më specifike. Hapi tjetër i madh në (r)evolucionin teknologjik është migrimi drejt standardeve të reja të rrjetit. Por, ndërmarrja e këtij hapi kërkon zëvendësimin e specifikimeve, pajisjeve dhe softuerit në mënyrë që të gjitha pajisjet të mund ta përdorin rrjetin e ri.
Zbatimi i teknologjive të reja do të hapë një gamë të tërë karakteristikash dhe mënyrash të reja në të cilat i përdorim pajisjet elektronike. Kështu, për shembull, rrjeti i ri 5G sjell me vete mundësi për internet më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm, transferimin e të dhënave më të mëdha, hap mundësi të reja për përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) dhe sjell potencial edhe më të madh për përdorimin e "Interneti i Gjërave" (IoT). Kjo do ta ndryshojë dukshëm përvojën e përdoruesit për mirë dhe do të na ofrojë mundësi të hapura në botën e pajisjeve të lidhura.
Gjatë vitit të kaluar, rrjeti 5G tashmë u vendos dhe u përhap në një pjesë të madhe të territorit (rrjeti 5G i Telekomit i mbulon deri në 26 qytete dhe rrethinat e tyre), dhe një numër i madh përdoruesish tashmë po përdorin standardin e ri. Heqja e rrjetit 3G në territorin tonë do të ndodhë së shpejti, ndaj përgatituni për ndryshimin e pashmangshëm dhe përfitimet e teknologjive të reja.