BOTA

Business Insider: Labirinti Charles McGonigal në FBI

Allison Guerriero ende e mban mend ditën kur ish-i dashuri i saj, Charlie McGonigal, bleu një telefon tjetër.

FBI sapo kishte urdhëruar stafin të ç’instalonte WhatsApp nga celularët që ua kishte dhënë byroja dhe McGonigal ishte në panik. Ai, një nga oficerët më të lartë të FBI-së në New York, nuk do të mundej më të dërgonte mesazhe të kriptuara kujtdo që i shkruante. Ky ishte problem. Guerriero nuk e dinte me saktësi se për çfarë  përdorte WhatsApp-in McGonigal – ai nuk e kishte përdorur kurrë për komunikim me të – por dinte që e përdorte shumë.

Kështu McGonigal shkoi e bleu një iPhone të dytë për ta përdorur veçmas. E përdorte pothuajse vetëm për WhatsApp. Dy telefonat i mbante gjithmonë me vete.

Guerriero e ngacmonte për këtë. “Çfarë je ti, je bërë shpërndarës droge tani? Me celular pa kontratë?”, i thoshte. Por ajo nuk e mori vesh kurrë se me kë komunikonte McGonigal.

“Ai thoshte se i duhej iPhone për të kontaktuar burimet”, thotë Guerriero. “Për ndonjë arsye, nuk mundej ta bënte përmes telefonit të dhënë nga FBI”.

Në atë kohë, Guerriero mendonte se AJO ishte sekreti më i madh i McGonigal. Ata e kalonin shpesh natën në apartamentin e tij në lagjen Park Slope në Brooklyn. Ai kishte ende familjen në Maryland, por e kalonte pothuajse gjithë kohën në New York City që nga tetori 2016, kur u promovua në drejtimin e kundërzbulimit në degën e FBI-së atje. McGonigal i kishte premtuar Guerrieros se së shpejti do t’i jepte fund martesës.

iPhone nuk ishte e vetmja gjë që i shkaktonte kureshtje nga ato që pa gjatë kohës me McGonigal. Kur hanin darkë me një mikun e tij, një person më i madh në moshë me emrin Sergei Shestakov, i vinin zarfe të vulosur.

Shestakov më parë ka qenë diplomat i lartë sovjetik në OKB. Guerriero nuk ishte e sigurt se si janë njohur ata të dy, por thotë se silleshin sikur njiheshin prej vitesh. Shestakov kishte marrë nënshtetësinë amerikane dhe punonte si përkthyes për gjykatat federale.

Guerriero e McGonigal shpeshherë takoheshin me Shestakovin dhe gruan e tij në ndeshjet e hokejit. Mblidheshin me një grup në një lozhë private. Guerriero nuk e dinte se lozha e kujt ishte apo kush paguante. Nuk e pa asnjëherë McGonigal të paguante.

Herë të tjera, Shestakov i merrte për darkë. Ai dhe McGonigal bisedonin për gjëra pa rëndësi, si trafiku e moti. Shestakov e pyeste për fëmijët. Pastaj, në mes të darkës, Shestakov i jepte si rastësisht një zarf ngjyrë kafe.

Kjo ka ndodhur tre a katër herë gjatë kohës që Guerriero e McGonigal ishin të lidhur, nga mesi i 2017 deri në fund të 2018. Ishte gjithmonë Shestakov që jepte zarfin McGonigalit, asnjëherë e kundërta. Dhe, me sa mban mend ajo, Shestakov paguante gjithmonë edhe në restorant.

Çfarë kishte brenda zarfeve? Guerriero nuk e ka parë kurrë. “Thjesht supozoja se ishin gjëra që Sergei kishte përkthyer nga rusishtja në gjyqe. Apo diçka nga ndonjë burim. Mund të ishin gjëra krejt të ligjshme”, thotë.

Ose mund të ishte diçka tjetër. McGonigal akuzohet se e ka gënjyer FBI-në për punën e bërë dhe pagesat e paligjshme nga Oleg Deripaska, oligarku rus i sanksionuar nga SHBA. Prokurorët e akuzojnë McGonigal për kultivim marrëdhënieje me Deripaskën ndërsa punonte ende në FBI, duke i bërë një favor vajzës së njërit prej vartësve të Deripaskës. “McGonigal shkoi për të Deripaskën e të tjerë në rezidencën e Deripaskës në Londër dhe në Vienë”, thotë njëra nga akuzat, ndonëse nuk saktëson se kur. Thuhet se Shestakov e prezantoi me rrethin e Deripaskës. Ai akuzohet edhe për shkelje të sanksioneve të SHBA dhe për hetim të një rivali në biznes të Deripaskës. Ai akuzohet edhe për lobim në shkëmbim të favoreve mbështetur në marrëdhëniet me zyrtarë amerikanë dhe me kryeministrin e Shqipërisë për të arritur rezultatet e dëshiruara nga porositësit. Një pjesë e madhe e këtij aktiviteti lobues u krye gjatë periudhës që punonte në FBI.

Oleg Deripaska ka qenë i lidhur ngushtë me Vladimir Putin, Paul Manafort, dhe operacionet e ndikimit rus në vende të tjera. Prokurorët thonë se ai punësoi Charlie McGonigal, një nga agjentët e FBI-së që kishte punuar në hetimin Trump-Rusi të byrosë, për të bërë kërkime mbi një rival. 
Olga Maltseva/AFP/Getty Images

Por pyetja se çfarë merrte McGonigal në zarfet e mëdhenj nga ish-diplomati sovjetik ngre shqetësime që shkojnë përtej akuzave. FBI është në garë me kohën për të zbuluar se sa thellë mund të shkojnë gënjeshtrat e ish-agjentit që ka mbajtur një nga postet më të ndjeshme. A punonte McGonigal për rusët edhe gjatë kohës kur drejtonte kundërzbulimin e FBI-së në New York? Apo, a pati sukses FBI në ndalimin e joshjes së tij nga Deripaska kur ishte ende në fazat e hershme?

“Aksesi që ke në këtë punë është i jashtëzakonshëm, nuk ka fund”, thotë një person nga agjencitë ligjzbatuese. “Nëse drejton kundërzbulimin e FBI në New York mund t’i futësh duart pothuajse kudo dhe as nuk ke nevojë të gjesh justifikime nëse të pyesin”.

E djathta amerikane e bashkuar pas Trumpit e ka përdorur rastin McGonigal si municion për fushatën e saj diskredituese për FBI pas kontrollit në rezidencën e ish-presidentit në Mar-a-Lago. Zëra të njohur nga e majta teorizojnë se McGonigal ishte agjent i dyfishtë, i paguar nga rusët për ta nxjerrë FBI-në jashtë shinave në hetimin Trump-Rusi. Të tjerë spekulojnë se McGonigal thjesht u bë lakmues, siç bëhen ndonjëherë zyrtarë të lartë, duke pranuar pará për favore që bëjnë.

Por ta cilësosh rastin e McGonigal si rast lakmie dhe jo spiunazhi do të thotë të keqkuptosh mënyrën se si funksionon ndikimi i huaj. Nuk ka pse të jetë ose lakmi, ose spiunazh. Mund të jenë të dyja.

New York City, thotë personi nga agjencia ligjzbatuese, është “qendër globale e spiunazhit dhe kundërspiunazhit. Aty ke vizita nga elita e biznesit të huaj. Ke OKB-në, ke popullsi etnike”.

Në këtë terren urban të lakmuar nga të gjithë, ku shërbimet e huaja inteligjente ndeshen fshehurazi për të survejuar, rekrutuar e kontrolluar, McGonigal ishte kryetrajneri i mbrojtjes së Amerikës. Por një ish-ekzekutiv i FBI-së thotë se në asnjë rrethanë nuk ka mundësi që një oficer i FBI-së i rangut të McGonigal të dalë në terren e ta luajë vetë lojën. Si Agjent Special i ngarkuar me kundërzbulimin në zyrën e FBI në New York, McGonigal ka pasur rreth 150 vartës. Ai ishte në krye të njerëzve që ishin në krye të njerëzve të tjerë që ishin në krye të skuadrave të agjentëve që bënin punën në terren. McGonigal duhej të qëndronte në zyrën e vet në Manhattanin e poshtëm, duke drejtuar lojën.

Guerriero nuk i dinte këto gjëra burokratike. Ajo mendonte se McGonigal ishte tipi i agjentit që i bënte vetë gjërat, tamam si ata që shohim në filma. Ai dilte shpesh natën, “për të drejtuar një operacion”, siç thoshte. Kjo mund t’i shpjegonte edhe zarfe nga Shestakov, si dhe qesen me pará që pa një natë në dysheme pranë një stoli në apartamentin e McGonigal në Brooklyn. Ai i tha se kishte fituar një bast për një ndeshje bejsbolli. Guerriero kishte pasur dyshime, por mendoi se do të ishin pará për ndonjë operacion të fshehtë, apo pagesa e ndonjë informatori. Gjithçka ishte pjesë e punës së McGonigal.

E tillë duhej të ishte edhe koha që kalonte me një person misterioz të quajtur Agron, të cilin Guerriero nuk e takoi asnjëherë.

Agron Neza kishte emigruar në New Jersey nga Shqipëria, ku, sipas aktakuzës, kishte qenë punonjës i një agjencie inteligjence shqiptare disa dekada më herët. Akuza kundër McGonigal thotë se Neza i dha atij 225,000 dollarë, përfshirë një pagesë 80,000 dollarë që përkonte me datën kur Guerriero thotë se ka qesen me pará në apartamentin e McGonigal. Neza, i cili në aktakuzë identifikohet si Personi A, nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale.

McGonigal dhe Shestakov akuzohet se kanë qenë pjesë e përpjekjeve të bëra nga Deripaska për të hequr sanksionet e vendosura mbi të më 2018 nga Departamenti i Thesarit, i cili zbuloi se Deripaska kishte vepruar si agjent i Kremlinit. Emri i Deripaskës shfaqet 63 herë në raportin e prokurorit special Robert Mueller. Një raport bipartizan nga Komisioni i Inteligjencës në Senatin amerikan zbuloi se Deripaska ka kryer “operacione influence” dhe direktivat për ato operacione i ka marrë nga qeveria ruse.

“Pretendimi se zoti Deripaska vepron për shtetin rus është gënjeshtër e madhe”, tha Ruben Buniatian, zëdhënës i tij. I pyetur nëse Deripaska e ka takuar ndonjëherë McGonigal, ai nuk u përgjigj.

Avokatët që përfaqësojnë McGonigal e Shestakov nuk iu përgjigjën ftesës për koment, ashtu si dhe një zëdhënës i fondacionit bamirës së Deripaskës në Ruso. “Nuk kam asgjë për të thënë”, iu përgjigj Neza ftesës së Insider. Edhe FBI refuzoi të komentonte.

Karriera e hershme e McGonigal si Agjent Special në New York përfshin disa raste të bujshme. Ai hetoi përplasjen e aeroplanit TWA Flight 800, “programin e ilegalëve” për agjentët e heshtur rusë, dhe sulmet e 11 Shtatorit. Në Washington, ai drejtoi task force të FBI për WikiLeaks që çoi në gjurmimin dhe dënimin e Chelsea Manning, si dhe një task force sekrete të përbashkët CIA-FBI për gjurmimin e spiunëve kinezë brenda agjencive amerikane të inteligjencës. Në New York, punoi në hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe për lidhjet midis agjencive inteligjente ruse dhe oligarkëve rusë, si ai për të cilin tani akuzohet se ka punuar.

“Në 22 vjet karrierë me FBI kam pasur rastin të punoj me – dhe në disa situata, edhe kundër – FSB”, thoshte McGonigal më 2020. Ai e përshkruante FSB-në si “shërbimi i shquar i sigurisë” i Rusisë dhe thoshte se lidhjet që kishte me oligarkët e bënin një agjenci që ia vlente ta shfrytëzoje.

Ndërsa aktakuza nuk shpreh dyshime për besueshmërinë e McGonigal gjatë kohës që ishte në FBI, stili i tij i jetesës mund ta bënte shënjestër joshëse për rekrutim.

Në një karrierë historike të FBI-së, McGonigal hetoi kërcënimet terroriste, krimin e organizuar, agjentët rusë të fjetur, molët kinezë dhe WikiLeaks. Kur u akuzua për marrjen e parave të paligjshme nga një ligark rus, kolegët e tij u tronditën. 
Majkëll M. Santiago/Getty Images

Për dikë me nivelin e aksesit të McGonigal, një lidhje jashtëmartesore nuk është çështje private. Është pikërisht ajo lloj pike e dobët që homologët e huaj të McGonigal, njerëzit kundër të cilëve supozohej të punonte, mund ta kenë kërkuar e shfrytëzuar.

“Njerëzit që kanë lidhje jashtëmartesore tipikisht janë të përfshirë në një farë mashtrimi”, thotë Michael German, një ish-agjent special i FBI-së që tani është partner në Brennan Center for Justice. “FBI i teston në poligraf aplikuesit për punë për të zbuluar pikërisht këtë lloj dobësie me qëllim për të ndaluar bërjen e tyre agjentë të nivelit më të ulët në zyrë”.

Rasti McGonigal është një imazh i keq për të ngarkuarit me mbrojtjen e sekreteve të shva dhe ka shanse që gjërat të jenë shumë më keq. McGonigal nuk është akuzuar për spiunazh dhe ndonëse aktualisht nuk ka fakte se ka bërë spiunazh, një burim i FBI tha për Insider se hetimi është në vazhdim e sipër. Një tjetër person familjar me hetimin tha se divizioni i kundërzbulimit në FBI shprehu besimin se rasti i McGonigal është vetëm korrupsion dhe asgjë tjetër. Fakti që prokurorët pranuan lirimin e McGonigal pas garancisë 500 mijë dollarë lë të kuptosh se qeveria nuk mendon se ai është i përfshirë në spiunazh, çka mund të bënte që të arratisej.

Por përjashtimi i skenarit më të keq të mundshëm – që McGonigal u tregonte sekrete kontakteve të huaj – mund të marrë muaj apo vite. Dhe ato që kujton Guerriero – qesja me dollarë, netët e vona, miqtë misteriozë, darkat falas, celulari i dytë – vetëm sa ngrenë më tepër shqetësime për thellësinë e rënies së jetës së dyfishtë të McGonigal.

Charles Franklin McGonigal Jr. u lind në periferitë e Cleveland, njëri nga katër fëmijët e një familjeje nga klasa punëtore. Guerriero kujton se ai i ka treguar që ka pasur fëmijëri të vështirë. Prindërit ishin alkoolikë. Kur ishte shumë i ri, prindërit ziheshin aq shumë sa që McGonigal merrte biçikletën e ikte nga shtëpia, në përpjekje për të zënë miq të rinj.

Jeta u bë më e lehtë në shkollën e mesme. Prindërit qëndruan bashkë. I ati zuri një punë më të mirë. Më në fund, paratë po iu mjaftonin. McGonigal qëndroi në Ohio dhe u diplomua në administrim biznesi. Në mesin e viteve ’90 u martua me Pamela Fox.

Pas periudhave në New York e Cleveland, McGonigal u transferua në Washington, DC. McGonigalët hodhën rrënjë në rrethinat e Maryland. Blenë një shtëpi të shtresës së mesme në një lagje të shtresës së mesme. Fëmijët i çuan në shkolla publike. Në FBI McGonigal koleksionoi një numër çështjesh të rëndësishme dhe ngritje në detyrë. Kolegët e tij shihnin një anë të McGonigal që Guerriero nuk e kishte parë. Ai ishte ambicioz dhe i fokusuar.

“Charlie iu bërtiste shumë prej vartësve”, kujton Pete Lapp, i cili raportonte te McGonigal në selinë e FBI-së në Washington, DC. Lapp, i cili u tërhoq më 2020, thoshte se McGonigal tregonte favoritizma dhe sjellja e tij ishte “puth lart, shqelmo poshtë” teksa ngjiste shkallën e FBI-së. Lapp kujton se një herë u përpoq të organizonte një grumbullim pas pune; McGonigal e urdhëroi ta anulonte. “Po përpiqesha të rrisja moralin”, thotë Lapp. “Ai e pa si rrezik për karrierën”.

Tracy Walder, ish-agjente speciale në zyrën Los Angeles që disa herë ka pasur kontakte me McGonigal, ka të njëjtin mendim, se ai shpeshherë ishte tip i vështirë. Por, në këndvështrimin e saj, sjellja e tij nuk ishte e pazakontë. “Është FBI, çfarë prisni? Nuk kapemi përdore e këndojmë. Njerëzit edhe bërtasin ndonjëherë”, thotë ajo.

McGonigal punoi shumë për të siguruar promocionet që e ngritën në majë të hierarkisë së Byrosë. Në New York, ai ishte i mirëpritur në një rreth të zgjedhur të kokave të rëndësishme të ligjit që darkonin në Sparks, Peter Luger e Elaine’s. Një restorant i rrethit të tyre ka edhe një foto të McGonigal në kornizë të varur në mur.

Ato tryeza restorantesh ishin të lidhura me një botë më të errët, misterioze, të banuar nga spiunë e oligarkë që mblidhen nën hijet e New Yorkut për të bërë biznes, shkëmbyer sekrete e blerë besnikëri. Ishte puna e McGonigal ta dominonte këtë botë, të ishte peshkaqeni i madh në një nga rezervuarët më të turbullt e të rrezikshëm.

“Ai ishte jashtë elementit të tij këtu”, thotë Guerriero për vitet e tyre në New York. “Nuk ishte përgatitur për gjithë ato pará, për gjithë ata lojtarë të fuqishëm. Duhej të kishte ndenjur në periferinë e këndshme, të korrte barin e oborrit, të luante softball”.

Një pikëpamje e ashpër, por që ndahet edhe nga Aneta Georgievska-Shine, lektore në Universitetin e Maryland, e cila ka qenë fqinjë me McGonigal në periferi. “Ishte modest”, thotë për Insider. “Ata ishin katolikë, njerëz të shtresës së mesme që jetonin në një shtëpi të vogël të këndshme. Asgjë luksoze apo e tepruar. Një pjesë e imja ndjen keqardhje për të. Nuk na ka dhënë përshtypjen si njeri i keq. Vras mendjen se çfarë i ndodhi atij njeriu kur u vendos në New York”.

Fqinjët e McGonigal në Maryland dhe kolegët në New York e shihnin si të zgjuar e të pëlqyeshëm”Kishte sharm dhe ishte i ditur”, thotë një i njohur nga New York. “S’kishte asgjë tek ai që të sugjeronte që nuk ishte profesionist i vërtetë”. Por në New York, zhytja e shpejtë në një botë të re parash e pushteti duket se ia përmbysi ato ndjesitë e shtresës së mesme. Shndërrimi nisi në rrugëtimin e përditshëm nga Maryland në New York, ku, sipas Guerrieros, McGonigal parkonte makinën familjare në barakat e policisë së shtetit të New Jersey-t dhe merrte makinën e dhënë nga shteti, një Ford Explorer i zi. Si shumë agjentë specialë të FBI-së, McGonigal kishte një tabelë në xhamin e përparmë që i lejonte parkimin ku të donte.

Shndërrimi makinë familjare – Explorer ishte më tepër se material. Me punën e re, steka u ngrit lart dhe New Yorku shpejt e mbërtheu në kthetrat e tij. Ai përmirësoi gardërobën me kollare të mëndafshta Hermès, luante golf, shkonte me miqtë te Sparks, kur e porosiste biftekun të pjekur mirë. Kthehej vonë natën dhe i thoshte Guerrieros se kishte  qenë me Agronin. Kush ishte Agroni? Ajo e dinte se ishte më mirë të mos bënte pyetje.

McGonigal kthehej në Maryland për të parë gruan e dy fëmijët një ose dy herë në muaj. Georgievska-Shine kujton se e pyeste gruan e tij se si po ia kalonte ai. Ajo thotë se Pamela përdorte rëndësinë e punës së tij në New York si arsye për mungesat e gjata.

Pasi jeta e dyfishtë e McGonigal u zbulua në janar, ai bë ekrani më i fundit ku një vend i ndarë mund të projektonte fantazitë partizane. Shumë nga e djathta, përfshirë Donald Trump, janë përpjekur ta përdorin McGonigal për të diskredituar hetimin e FBI-së për lidhjet e Trumpit me Rusinë. Nga e majta spekulohet se McGonigal ishte përgjegjës për një seri rrjedhjesh informacioni që rriti shanset e Trumpit më 2016. Ka prova që sugjerojnë se njoftimi i Drejtorit të FBI-së, James Comey, para zgjedhjeve, për hetimin e emailit të Hillary Clinton, ishte i motivuar, të paktën pjesërisht, nga frika se zyra e FBI në New York do të nxirrte të tjera informacione nëse ai nuk bënte asgjë. Dhe brenda FBI-së, zyra e New Yorkut është e njohur për bërjen e asaj çka dëshiron, shpeshherë edhe duke sfiduar urdhrat nga selia qendrore.

Historiani Timothy Snyder shkon edhe më larg, duke hedhur variantin se McGonigal u përdor nga interesat pro-ruse për të sabotuar hetimin e FBI-së në mënyrë të tillë që ta vinin përsëri në pikëpyetje legjitimitetin e fitores së Trumpit. Ndërkaq FBI vazhdon të refuzojë idenë se rasti McGonigal shkon përtej korrupsionit.  “Ishte FBI që e nisi këtë hetim, është FBI dhe agjentët tanë që po punojnë pa u lodhur për të ngritur çështjen kundër tij, dhe ishte FBI që e arrestoi”, tha Drejtori i FBI, Chris Wray në një konferencë shtypi javën e kaluar.

“Ishim ne që e prangosëm”, tha për Insider një zyrtar i lartë i FBI. Pozicioni i FBI duket se është i tillë që, ndonëse gaboi me trajnimin dhe vetingun e McGonigal, sërish mund të besohet se është në gjendje të bëjë pastrimin.

Tre burime familjare me rastin thanë për Insider se byrja ndërkohë ishte duke e hetuar McGonigal në nëntor 2019, koha kur Guerriero i dërgoi një email të zemëruar shefit të McGonigal, William Sweeney, ku i thoshte të shihte në jetën personale të McGonigal dhe lidhjet me Shqipërinë. Guerriero e pranon se më vonë bezdisi familjarët e McGonigal në kundërshtim të një urdhri gjykate, çka i solli arrestimin dhe urdhrin për t’u qëndruar larg.

Duke ditur intensitetin e tërbuar të politikës amerikane, nuk është surprizë që disa janë përpjekur ta përdorin McGonigal për të provuar prirjen partizane të FBI-së. Por pretendimi se McGonigal po zhvillonte me vetëdije një axhendë politike sekrete nuk mbështetet nga faktet. Për miqtë dhe fqinjët ai ishte një agjent i zakonshëm i FBI-së, një republikan centrist që çonte fëmijët në aktivitetet shkollore me makinë familjare. Një fqinjë shihte numra të The Economist rreth shtëpisë së tij në Maryland. Në New York, Guerriero e ka parë teksa ndiqte Fox News. Kur Trump shkarkoi armikun e tij Comey, McGonigal tha publikisht se Comey ishte “një nga drejtuesit më të dashur që kemi pasur prej vitesh”, ndonëse më vonë, pasi Comey nisi të tregonte shënimet nga takimet me Trump, McGonigal i tha Guerrieros “do të doja ta mbyllte gojën”. Ai i tregoi asaj se nuk kishte votuar më 2016, sepse nuk i pëlqente asnjë nga kandidatët. Një ditë Guerriero e dëgjoi të mburrej se kishte luajtur në një nga fushat luksoze të golfit të Trumpit; një herë tjetër tallej hidhur me premtimin e Trumpit për “tharjen e kënetës”.

Indiferenca karshi politikës duket se ishte pika ku McGonigal shkëlqente si profesionist i FBI-së. Nëse nuk kishte inate për të nxjerrë, a mund të kenë qenë paratë motivi për gjithçka që akuzohet? A ishte McGonigal një profesionist zyre lakmitar që shkoi shumë thellë?

E nëse akuzat janë të vërteta, a e dinte McGonigal që po bënte diçka jashtë të zakonshmes? Apo ishte një tjetër i mërzitur nga puna teksa shihte kolegët e vjetër teksa dilnin nga dyert rrotulluese dhe fitonin trefishin e rrogave qeveritare paguar nga të njëjtët njerëz të këqij që kishin hetuar gjatë gjithë karrierës së tyre? Ndoshta paga e McGonigal si zëvendëspresident i Brookfield Properties pasi iku nga FBI nuk mjaftonte për të mbajtur të dashurën dhe familjen e pastaj t’i mbeteshin edhe për të blerë ato kollaret Hermès që pëlqente.

“Thoshte se duhej të fitonte më tepër pará”, tregon Guerriero për Insider. “Kishte dy fëmijë për të çuar në kolegj”.

Një person nga Washington, me dekada përvojë në financën ndërkombëtare, thotë se çështja e ngritur nga rasti McGonigal është më e madhe se FBI. Personat që punojnë privatisht pas largimit nga agjencitë paraqesin rreziqe të mëdha për gjithë qeverinë federale.

“Ajo që McGonigal e gjithë ka palaçot e tjerë nuk kuptojnë është se për Deripaskat e botës kjo është njësoj si të bëjnë blerje në supermarket. Ata qeshin kur shohin se sa lirë kushtojnë amerikanët”.

Edhe një gjë tjetër që bëri McGonigal i bëri përshtypje Guerriero. Përfshinte vodkën.

Ai sapo e kishte marrë me makinën qeveritare në shtëpinë e babait të sa në New Jersey. Po shkonin te apartamenti i tij. Rrugës për në Brooklyn, kishin planifikuar të ndalonin në qendrën tregtare Short Hills Mall. Pas pak ditëve, McGonigal do të shkonte në Vienë për ca takime. Në Vienë bënte ftohtë dhe ai do të blinte një pallto dimri.

Pak ditë më parë, McGonigal i kishte kërkuar Guerrieros të shkonte me të. Pushime të paguara, i kishte thënë, që do ta ndihmonin ta hiqte mendjen nga problemet shëndetësore. Ajo ishte diagnostikuar me kancer dhe kishte një operacion të dyfishtë të programuar pas pak javësh.

McGonigal nuk i tha se me ta do të shkonte edhe Agroni dhe se dikush tjetër do të paguante për udhëtimin dhe hotelet. Këto Guerriero i mësoi më vonë, nga akuza.

Atë natë, në makinë, Guerriero pa që McGonigal ishte i qetë, me një energji nervoze. Rrugës për te qendra tregtare, Guerriero i tha të ndalonin pak në një qendër tjetër, për të marrë ca printime. Ajo shkoi, i mori e u kthye në makinë, ku McGonigal po e priste.

“U futa në një dyqan pijesh”, i tha ai. Nxori një shishe të vogël vodke, të përmasave të atyre që servirin në aeroplanë dhe piu një gllënjkë. E mbylli shishen, e vendosi në mbajtësen e gotave dhe u fut në trafik.

Guerriero u habit. McGonigalit i pëlqente të pinte ndonjë gotë – martini, ndonjëherë edhe mbi gjysmë shisheje verë gjatë darkave – por rrallë e tepronte dhe asnjëherë kur ishte në timon.

“Çfarë po bën? Nuk mund të pish e të ngasësh makinën qeveritare”, i bërtiti ajo.

“S’ka problem”, iu përgjigj McGonigal. “Ka qenë ditë e gjatë. Më duhej diçka për të qetësuar nervat”. Deri sa arritën te qendra tregtare, e piu të gjithë.

Guerriero nuk e dinte se në atë kohë McGonigal kishte arsye të ishte nervoz. Udhëtimi në Vienë do të ishte përzierje punësh zyrtare e personale. Aktakuza thotë se pjesa personale nuk iu bë e ditur FBI-së, siç ia kërkonte detyra.

Guerriero ende nuk e kupton se pse McGonigal e ftoi në Vienë. Ndoshta donte me vete dikë që i besonte.

Por ajo tha jo.

“Nuk mund të vij në Vienë”, i tha. “Kam gjithë ato gjëra për të bërë. Nuk kam as pasaportë, më ka skaduar”.

Tani ai ishte vetëm, përfundon hulumtimi i Business Insider.

Related posts

​Ministri turk i Financave: Ekonomia e Turqisë pritet të rritet me 4.5% në vitin 2023

admin

Rusia shkatërron 180 mijë tonë grurë të Ukrainës

admin

10 të vdekur në një incident pas festës së Vitit të Ri Hënor

admin

Leave a Comment