Autoritetet kanë njoftuar shifrat e fundit të viktimave nga tërmeti i së hënës në kufirin turko-sirian. Numri i jetëve të humbura nga dy tërmetet e mëdha është rritur në më shumë se 7200 sipas shifrave zyrtare.
Autoritetet thonë se më shumë se 5400 njerëz kanë vdekur në Turqi, ndërsa më shumë se 1800 janë vrarë nga tërmeti në Siri. Të hënën të dyja vendet u goditën filimisht nga tërmeti 7.8 ballë dhe një lëkundje pasuese 7.5 në Turqinë juglindore afër kufirit të Sirisë.
Punonjësit e emergjencave po përpiqen dëshpërimisht të shpëtojnë njerëzit e bllokuar nën rrënoja pasi mijëra ndërtesa u shembën. Shiu, acari dhe bora pengojnë përpjekjet e tyre.
Një gjendje e jashtëzakonshme 3-mujore është shpallur nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në 10 provincat më të prekura nga tërmeti.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në mënyrë dramatike pasi ekipet e shpëtimit po gjejnë gjithnjë e më shumë viktima. Sipas OBSH 23 milionë njerëz në të gjithë Turqinë dhe Sirinë mund të preken nga fatkeqësia.
Njerëz nën rrënja dëgjoheshin duke bërë thirrje për ndihmë dhe duke u përpjekur të tërhiqnin vëmendjen e ekipeve të kërkim-shpëtimit, të cilët shpesh nuk kanë pajisjet e duhura për t’i nxjerrë ata, raporton BBC.
Vendet nga mbarë botëa po dërgojnë mbështetje për të ndihmuar përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, duke përfshirë ekipe të specializuara, qen nuhatës dhe pajisje.
Mes vendeve që janë angazhuar është Italia, SHBA, Izraeli dhe Tajvani.