AKTUALE

DREJTORI PËR DIASPORË VIZITOI XHAMINË “EL FURKAN” NË DUISBURG TË GJERMANISË

Në kuadër të vizitave dhe takimeve me komunitetin mysliman shqiptar në diasporë, Drejtori i Sektorit për Diasporë pranë Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Mafiz ef. Rustemi, vizitoi xhaminë “El Furkan” në Duisburg të Gjermanisë.

Gjatë kësaj vizite, drejtori u prit nga imami i xhamisë, Nasir ef. Aliti, dhe kryetari i saj, Sadri Limani, me të cilët zhvilloi një takim të përzemërt, duke vlerësuar angazhimin dhe kontributin e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare të xhematit. Me këtë rast, Mafiz ef. Rustemi përcolli përshëndetjet, urimet dhe mesazhet e Reisul-Ulemasë, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, si dhe të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, duke rikonfirmuar përkushtimin institucional për të qenë pranë imamëve, këshillave dhe besimtarëve në diasporë.

Në vazhdim, ai mbajti ligjëratën dhe hutben e namazit të xhumasë, ku trajtoi tema me rëndësi për jetën fetare dhe shoqërore të besimtarëve, duke vënë theksin te roli i xhamisë si qendër e besimit, edukimit dhe bashkimit të komunitetit. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjes së brezave të rinj me fenë, traditën dhe vlerat islame, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërmjet besimtarëve për forcimin e institucioneve fetare në diasporë.

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Mafiz ef. Rustemi përcolli edhe urimet e tij të përzemërta për të gjithë të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e kësaj date në historinë dhe kujtesën tonë kombëtare. Në mesazhin e tij, ai porositi besimtarët që, krahas ruajtjes së besimit islam, të kujdesen me përgjegjësi edhe për gjuhën shqipe, traditën dhe vlerat tona kulturore e kombëtare, duke ua përcjellë ato brezave të rinj. Ai theksoi se ruajtja e fesë, gjuhës dhe traditës është një përgjegjësi e përbashkët, veçanërisht për familjet që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.

Në vazhdim të vizitës në Gjermani, drejtori vizitoi edhe xhaminë shqiptare “Fatima”, e cila aktualisht është në proces të ndërtimit në qytetin e Bochumit. Ai u prit nga imami i kësaj xhamie, Elmaz Bajrami, me të cilin bashkëbisedoi për ecurinë e punimeve dhe rëndësinë e ndërtimit të institucioneve fetare si pika referimi për besimtarët dhe brezat e ardhshëm.

Këto vizita dëshmojnë përkushtimin e BFI-së dhe Reisul-Ulemasë për të mbajtur lidhje të vazhdueshme me xhamitë, imamët dhe besimtarët në diasporë, si dhe për të mbështetur organizimin dhe zhvillimin e jetës fetare jashtë vendlindjes.

Banner

Related posts

Lladrovci fton për tubim: Le të jetë mesazhi ynë për heronjtë tanë të luftës dhe paqes!

Gjyla Halili

Vankovska: Duhet përballje mes kandidatëve

Gjyla Halili

Miratohet projektligji për koncesionet dhe partneritetin publik-privat

Gjyla Halili