Siljanovska-Davkova, këtë mëngjes në Ohër, priti mysafirët pjesëmarrës në Samitin e Procesit Bërdo-Brioni, së bashku e bashkorganizatorët, presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Nataša Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq.
Pas pritjes zyrtare, pritet të fillojë pjesa punuese e takimit, ku do të marrin pjesë edhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, kryesuesja dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Željka Cvijanović, Denis Bećirović dhe Darijana Filipović, si dhe presidentët e Shqipërisë dhe Kosovës, Bajram Begaj dhe Justina Shiroka-Pula.
Pas përfundimit të takimit, në orën 14:30 është paralajmëruar konferencë e përbashkët për media nga Siljanovska-Davkova, Pirc-Musar dhe Milanoviq.
Në kuadër të samitit janë paraparë të zhvillohen edhe takime dypalëshe mes pjesëmarrësve.
Samiti në Ohër shënon kryesimin e tretë të Maqedonisë së Veriut me Procesin Bërdo-Brioni. Liderët e vendeve pjesëmarrëse takohen një herë në vit, duke zhvilluar kështu dialog të rregullt politik.
Procesi Bërdo-Brioni bazohet në solidaritetin dhe partneritetin e vendeve të rajonit në proceset e integrimit evropian, me qëllim nxitjen e dialogut politik në nivelin më të lartë, forcimin e besimit dhe intensifikimin e dialogut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ky proces synon gjithashtu forcimin dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në fusha me interes të përbashkët, si projektet infrastrukturore, transporti dhe politika energjetike.
Ai mundëson shkëmbimin e informacioneve për situatën e brendshme politike në vendet e rajonit, diskutime konstruktive për çështjet dhe sfidat që dalin nga zhvillimet aktuale në rajon dhe Evropë, si dhe analiza të përbashkëta të ndikimit të zhvillimeve evropiane dhe globale në rajon dhe në secilin vend veç e veç.
Procesi kontribuon gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
