AKTUALE

Nikollë Camaj pret delegacionin australian, në fokus edhe lidhjet me diasporën e Malësisë

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë së Kuvendit të Malit të Zi me Australinë, ka pritur një delegacion të deputetëve të Parlamentit australian, të shoqëruar nga ambasadori i Australisë, z. Truswell.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe me frymë respekti e mirëkuptimi të ndërsjellë, ku u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e forcimit të bashkëpunimit parlamentar.

Gjatë takimit, Camaj veçoi edhe lidhjet e komunitetit shqiptar, veçanërisht të familjeve me prejardhje nga Malësia që jetojnë në Australi. Ai theksoi se këto familje, të cilat kanë emigruar ndër vite, falë punës dhe përkushtimit kanë arritur të ndërtojnë jetë të suksesshme dhe të integrohen në shoqërinë australiane.

Sipas Camajt, pavarësisht largësisë së madhe gjeografike, lidhjet njerëzore dhe emocionale krijojnë një afërsi të veçantë ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast, ai shprehu dëshirën dhe shpresën që Grupi Parlamentar i Miqësisë të realizojë një vizitë në Australi, me qëllim të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit.

Ndërkohë, aktivitetet zhvillohen në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Australisë, jubile që u shënua edhe mbrëmjen e kaluar në një atmosferë miqësore.

Takimi përbën një mundësi për forcimin e lidhjeve ndërparlamentare dhe për thellimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve, ku diaspora shqiptare mbetet një urë e rëndësishme lidhëse.

Banner

Related posts

Kontroll në Listën zgjedhore në zyrat e KSHZ-së kryen 2 140 qytetarë, 11 parashtruan kërkesë për ndryshim

Gjyla Halili

BDI kërkon hetim për RTVM-në: Pa drejtor shqiptar, me zëvendësdrejtor të paligjshëm

Gjyla Halili

Taravari: Na duhen të paktën 1000 mjekë, urgjentisht dhe pa vonesë

Gjyla Halili