Sportistët nga Maqedonia e Veriut kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në Kampionatin Botëror ISKA AMA – Madrid 2026, duke u kthyer nga Spanja me gjithsej gjashtë medalje: dy të arta, një të argjendtë dhe tri të bronzta.
Në këtë kampionat prestigjioz, i cili u mbajt nga 5 deri më 8 nëntor në Kompleksin Sportiv Las Olivas në Aranjuez të Spanjës, morën pjesë mbi 1.500 sportistë nga më shumë se 47 shtete të botës.
Maqedonia e Veriut u përfaqësua nga 13 sportistë të delegacionit të ISKA Macedonia e Veriut, pjesë e të cilit ishin garues nga Uskana Martial Arts Academy (UMAA) nga Kërçova dhe klubi Wolf nga Tetova.
Nga gjashtë medaljet e fituara, katër u regjistruan nën flamurin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa dy të tjera nën flamurin e Shqipërisë, të fituara nga sportistë me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Protagonistë të këtij suksesi ishin edhe sportistët nga Tetova, ku vëmendje të veçantë mori klubi Wolf MMA – Kickboxing, nën drejtimin e Naim Samiut, i cili njëkohësisht ishte edhe fitues i medaljes së artë në këtë kampionat botëror.
Medaljet e arta u fituan nga Muhamed Dauti dhe Naim Samiu, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes dhe përkushtimit të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.
Delegacioni u drejtua nga kryetari i ISKA Macedonia e Veriut, Urim Saiti, i cili gjithashtu zëvendësoi kryetarin e ISKA Shqipëri, nën drejtimin e presidentit Muharem Gega.
Ky rezultat përfaqëson një sukses të rëndësishëm për sportin e arteve marciale në vend dhe është dëshmi e punës shumëvjeçare, disiplinës dhe sakrificës së sportistëve dhe trajnerëve.
Gjashtë medalje në një kampionat botëror me mbi 1.500 garues nga më shumë se 47 shtete janë një arsye e madhe për krenari për Kërçovën, Tetovën dhe gjithë Maqedoninë e Veriut.
Suksesi nuk vjen rastësisht – ai ndërtohet me punë, sakrificë, disiplinë dhe besim. Sportistët tanë dëshmuan se edhe nga vendi ynë mund të ngjitesh në majat e sportit botëror!
Urim Saiti – Kryetar i ISKA Macedonia e Veriut
Ja postimi i plotë:
13 sportistë nga Maqedonia e Veriut, 6 medalje në Kampionatin Botëror ISKA në Madrid
Delegacioni i ISKA Macedonia e Veriut me sportistë nga Kërçova dhe Tetova, kthehet nga Spanja me 2 medalje të arta, 1 të argjendtë dhe 3 të bronzta
Kërçovë, 11 nëntor 2026 – Delegacioni i ISKA Macedonia e Veriut, me sportistë nga Uskana Martial Arts Academy (UMAA) nga Kërçova dhe klubi Wolf nga Tetova, mori pjesë në Kampionatin Botëror ISKA AMA – Madrid 2026, që u mbajt nga 5 deri më 8 nëntor në Kompleksin Sportiv Las Olivas në Aranjuez, Spanjë. Në kampionat garuan mbi 1.500 sportistë nga më shumë se 47 shtete.
13 sportistët fituan gjithsej 6 medalje:
🇲🇰 Për Maqedoninë e Veriut: 1 e artë, 1 e argjendtë, 2 të bronzta
🇦🇱 Për Shqipërinë: 1 e artë, 1 e bronztë – fituar nga tre sportistë nga Maqedonia e Veriut që garuan nën flamurin e Shqipërisë. Dy medaljet e arta shkuan për Muhammed Dauti dhe Naim Samiu që më të njëjtën kohë udhëheq dhe klubin Wolf MMA – Kickboxing në Tetovë.
Kryetari i ISKA Maqedonia e Veriut Urim Saiti, po ashtu Zëvendësoi Kryetarin e ISKA Shqipëri në krye me Presidentin Muharem Gega.
Ky rezultat është fryt i viteve të punës së palodhur të sportistëve dhe trajnerëve tanë. Krenohemi me secilin prej tyre.
Urim Saiti, kryetar i ISKA Macedonia e Veriut
Kontakt për media: ma_academy@hotmail.com





