AKTUALE

ASLLAN KOKA: PPP-ja e Tetovës nën pikëpyetje – si u llogarit ROI prej 28,54% dhe ku janë kostot reale?

Studimi i fizibilitetit për projektin e Partneritetit Publiko-Privat (PPP) të Komunës së Tetovës ngre pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën e llogaritjes së treguesve kyç të performancës financiare, veçanërisht kthimin e investimit (ROI), i cili në dokument është paraqitur në nivelin prej 28,54% për një periudhë pesëvjeçare.

Sipas të dhënave të paraqitura në studim, investimi për ndërtimin e objektit me gjithsej 23.114 metra katrorë, përfshirë dy nivelet nëntokësore, kap vlerën prej 28,5 milionë eurosh. Kjo nënkupton një kosto mesatare prej rreth 1.233 eurosh për metër katror.

Ndërkohë, të hyrat e parashikuara për kompaninë private janë:

7.772.400 euro nga shitja e 6.477 m² hapësirë Komunës së Tetovës;
2.245.200 euro nga qiraja për një periudhë pesëvjeçare.

Në total, kompania parashikohet të realizojë të hyra prej 10.017.600 eurosh.
Në studim, nga kjo shumë zbriten 1.883.005 euro për shpenzime të mirëmbajtjes dhe mbi këtë bazë llogaritet kthimi i investimit prej 28,54%.

Por pikërisht këtu lind një çështje që kërkon sqarim.

Nëse përdoret kostoja mesatare e ndërtimit prej 1.233 eurosh për metër katror, atëherë 6.477 metrat katrorë që do t’i shiten komunës kanë një kosto të përllogaritur ndërtimi prej rreth 7.986.285 eurosh.

Nëse edhe kjo kosto zbritet nga të hyrat e përgjithshme, pas zbritjes së mirëmbajtjes mbeten vetëm 148.310 euro. Kjo shumë, në raport me investimin prej 28,5 milionë eurosh, përfaqëson rreth 0,52%.

Megjithatë, kjo është një përllogaritje alternative dhe jo domosdoshmërisht ROI përfundimtar, pasi kërkohet pasqyra e plotë e kostove dhe flukseve financiare të projektit.

Asllan Koka kërkon transparencë dhe përgjigje konkrete nga hartuesit e studimit:

Pse të hyrat prej 7,77 milionë eurosh nga shitja e hapësirave komunës përfshihen në llogaritjen e kthimit të investimit?
Ku është paraqitur veçmas kostoja e ndërtimit të këtyre hapësirave?

A janë përfshirë të gjitha shpenzimet reale të projektit, përfshirë financimin, tatimet dhe kostot operative?
Mbi çfarë metodologjie është nxjerrë ROI prej 28,54%?

Paratë që kompania private i arkëton nga shitja e hapësirave nuk mund të konsiderohen automatikisht fitim, pa u llogaritur edhe kostoja për realizimin e tyre.

Bëhet fjalë për një projekt me vlerë prej 28,5 milionë eurosh dhe me përfshirje të pronës publike. Prandaj, çdo euro e investimit, çdo e hyrë dhe çdo përllogaritje financiare duhet të jetë e argumentuar dhe plotësisht transparente.

Tetovarët kanë të drejtë të dinë se çfarë përfiton Komuna dhe çfarë përfiton kompania private nga ky partneritet.

Ja postimi plotë:

STUDIMI I FIZIBILITETIT PËR PPP-NË E KOMUNËS SË #TETOVËS:
‐—————‐——————-
TREGUESIT KYÇ TË PERFORMANCËS FINANCIARE JANË TË #MANIPULUARA!

Në studimin e fizibilitetit thuhet se kompania private që do të ndërtojë objektin parashikon një kthim të investimit (ROI) prej 28,5% për periudhën deri në 5 vjet.

Por si është llogaritur kjo përqindje?

1. Sa kushton ndërtimi?

Sipas studimit, ndërtimi kushton 28.500.000 € për gjithsej 23.114 m², përfshirë dy bodrumet nëntokësore.

Kostoja #mesatare del 1.233 € për m².

2. Sa para parashikohet të marrë kompania private?

– Nga shitja e 6.477 m² komunës: 7.772.400 €
– Nga qiraja për 5 vjet: 2.245.200 €
– Gjithsej: 10.017.600 €

Autori zbret vetëm 1.883.005 € shpenzime mirëmbajtjeje dhe llogarit:

(10.017.600 − 1.883.005) ÷ 28.500.000 × 100 = 28,54%.

3. Por ku është #kostoja e #hapësirës së shitur?

Kompania private ia shet komunës 6.477 m² për 7,77 milionë euro.

Sipas kostos mesatare të ndërtimit, këto hapësira #kushtojnë rreth 7,99 milionë euro.

Pra, nuk mund t’i llogarisim të gjitha paratë nga shitja si fitim, pa marrë parasysh edhe sa ka kushtuar ndërtimi.

Ta përfshijmë këtë kosto në të njëjtën formulë:

(10.017.600 − 1.883.005 − 7.986.285) ÷ 28.500.000 × 100 = 0,52%.

Krahasimi:

– 28,54% – përqindja e paraqitur në studim.
– 0,52% – përqindja që del kur zbresim edhe koston mesatare të hapësirës së shitur.

#Pyetja për hartuesit e studimit:

Pse në llogaritjen e kthimit të investimit janë përfshirë 7,77 milionë euro nga shitja e hapësirave komunës, por nuk është paraqitur veçmas sa ka kushtuar ndërtimi i tyre?

Sepse paratë që merr nga shitja nuk janë të gjitha fitim.

#FryrjeEKostove #ManipulimFinanciar #PërvetësimIPronësPublike

Banner

Related posts

REISUL ULEMA PRITI DR. MUHAMED ALI BELAOO DHE DR.ABDULVEHAB  ET TUREJRIN

Gjyla Halili

Medai Shaholli: Adnani i VREDI-t bën shqiponjën në tubim!

Gjyla Halili

Besimi: Fletobligacionet e qytetarëve janë investim pa rrisk që do t’u sjellë rendimente qytetarëve

admin