Ditëve të fundit gjendje e tij shëndetësore është rënduar prapa grilave! Gati 19 vite i burgosur për rastin “Alfa”, Agim Islami po vuan nga disa sëmundje, për të cilat ka kërkuar ndihmë mjekësore. Bashkëvuajtësi që atëherë ishte i dyshuar për të njëjtin rast, e mandej i liruar në mungesë provash, Ramiz Dauti ngriti shqetësimin, që të merren masa dhe mos t’i ndodh e njëjta si Rexhail Qerimit, i cili ndërroi jetë në qeli.
“Nesër është kontrolli i radhës së Agimit në spitalin e shtetit, dhe ishte gjithashtu për kontroll, pas 20 viteve që i vuan nga sëmundjet që ju kanë paraqit në burg dhe mendoj që duhet të trajtohet më seriozisht çështja e Agimit, gjendja e tij shëndetësore. Ka qenë mirë si një i ri, por duke pasur parasysh që 19 vite është në burg dhe kushtet janë katastrofë brenda në ambientet e burgut, iu është keqësuar gjendja që veç se ka filluar të na shqetësoj 2-3 ditët e fundit”, tha Ramiz Dauti..
Mbrojtja ndër vite ka kundërshtuar vendimet dhe ka kërkuar përsëritjen e gjykimit, ndërsa ka paraqitur edhe një ekspertizë të video incizimit të ngjarjes, të përgatitur në Serbi. Sipas mbrojtjes, kjo ekspertizë mbështet kërkesën për përsëritjen e gjykimit. Gjykata Penale e Shkupit në dhjetor të vitit 2024 e refuzoi kërkesën e Islamit për përsëritjen e gjykimit, ndërsa në prill të vitit 2025 Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën ndaj këtij vendimi. Sipas Dautit, ekspertiza nuk u pranua nga gjykata, pasi nuk kishte një ekspert të asaj fushe që do ta verifikonte atë, por ai thotë se nuk do të heqin dorë në kërkim të drejtësisë. (Tv21)
