Në komunën Shuto Orizares me iniciativë të këshilltarëve të AKI-së Flamuri kombëtar shqiptar do të valëvitet në objektin e Komunës, krahas flamurit shtetëror dhe atij të komunitetit rom. Ky është një triumf i drejtësisë, i respektit dhe i vullnetit të qytetarëve shqiptarë të kësaj komune. Ky është një tjetër hap për identitetin shqiptar në Shuto Orizare.
Kjo fitore ka një emër dhe një adresë të qartë Aleanca për Shqiptarët.Ndërsa të tjerët flasin kur nuk duhet dhe heshtin kur duhet Aleanca vepron në interes të qytetarëve qoftë nëpërmjet deputetëve, kryetarëve të komunave apo edhe këshilltarëve që ka, ku në rastin konkret Këshilltarët komunalë të AKI-së, me në krye këshilltarin Rushan Toçi nga radhët e Aleancës për shqiptarët e çuan kërkesën deri në fund me argumente, këmbëngulje dhe përgjegjësi institucionale.
Pikërisht ky është dallimi mes nesh dhe atyre që thiren në përfaqësim të shqiptarëve, ne jemi një forcë politike që nuk i harron premtimet dhe nuk pranon kompromis kur është fjala për identitetin tonë.Flamuri shqiptar është simbol i historisë, i sakrificave dhe i dinjitetit tonë.
Ai nuk i ndan qytetarët, përkundrazi, i bashkon në respekt të ndërsjellë. Kërkesa e Aleancës u bazua në frymën e bashkëpunimit, në respektin ndaj të gjitha komuniteteve dhe në përputhje me ligjin në fuqi. Shuto Orizarja është një komunë me karakter të veçantë, ku shqiptarët dhe romët jetojnë dhe bashkëpunojnë së bashku, dhe kjo fitore forcon pikërisht atë bashkëjetesë të bazuar në barazi dhe mirëkuptim.
Ky është vetëm fillimi. Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të punojë për të drejtat, identitetin, interesat dhe të ardhmen e shqiptarëve në çdo komunë, në çdo institucion, kudo ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
