AKTUALE

LPK SHVL – UÇK KOMBËTARE: MBËSHTETJE E PLOTË PËR STUDENTËT NË MBROJTJE TË GJUHËS SHQIPE

LPK SHVL – UÇK Kombëtare, në emër të familjeve të dëshmorëve, martirëve, të plagosurve dhe të mbijetuarve të Luftës së vitit 2001, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë për përdorimin e gjuhës shqipe në fushën e jurisprudencës.

Në reagimin e tyre, ata theksojnë se gjuha shqipe është një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, statusi i saj kushtetues dhe përpjekjet e bëra ndër vite për zgjerimin e përdorimit të saj në institucionet shtetërore janë rezultat i një angazhimi të gjatë politik, institucional dhe kombëtar.

Gjatë mandatit 2002–2006, sipas reagimit, janë bërë përpjekje të vazhdueshme për avancimin dhe zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjithë vendin, me mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar.

“Mezi i kemi qetësuar çlirimtarët”, thuhet në reagim, duke rikujtuar sfidat e periudhës pas konfliktit të vitit 2001 dhe përpjekjet për të ruajtur stabilitetin e për të çuar përpara të drejtat e shqiptarëve.

Sipas LPK SHVL – UÇK Kombëtare, me kalimin e viteve është zbehur mbështetja për avancimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Në reagim shprehet shqetësimi se vendimet e fundit mund të përbëjnë një hap prapa në realizimin e të drejtave të fituara, duke e krahasuar situatën me periudhën e vitit 1983, kur, sipas tyre, mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave detyroheshin të flisnin gjuhën maqedonase.

Organizata vlerëson se çdo përpjekje për të kufizuar arritjet e shqiptarëve në fushën e të drejtave gjuhësore rrezikon të cenojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të zhbëjë rezultatet e arritura ndër vite.

Mbështetje për studentët
Në përfundim të reagimit, LPK SHVL – UÇK Kombëtare shpreh mbështetjen e saj për studentët, të cilët po kërkojnë respektimin dhe zbatimin e të drejtave të tyre gjuhësore.

“Përfundimisht, duhet që studentët ta çajnë bllokadën. Ne jemi me ta, sepse janë të rinj, na dhimbsen dhe janë e ardhmja jonë”, thuhet në reagim.

LPK SHVL – UÇK Kombëtare u uron studentëve suksese në kërkesat e tyre, si dhe përparim të mëtejshëm në arsim, edukim dhe zhvillimin e shoqërisë.

Gjuha shqipe është e drejtë, identitet dhe dinjitet. Mbrojtja e saj kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.

Banner

Related posts

Lladrovci për Thaçin: Emocionet na mundën dhimbjen

Gjyla Halili

Sot formohet një parti e re politike shqiptare në krye me Ziadin Selën

Gjyla Halili

Ahmeti pas shfaqes së “Otello” në Tiranë: Arti mbetet forcë e shoqërisë

Gjyla Halili