Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, së bashku me përfaqësuesit e Aleancës Kombëtare për Integrim, ka zhvilluar sonte një takim me qytetarët e Gurguricës, ku është prezantuar vizioni politik dhe programi i kandidatit për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Ahmeti theksoi rëndësinë e përfaqësimit dinjitoz, përgjegjësisë politike dhe angazhimit për zhvillimin e komunës, duke nënvizuar se banorët e Bërvenicës meritojnë një udhëheqje që mbron interesat e tyre dhe respekton vullnetin qytetar.
Ai u shpreh se Gurgurica dhe të gjitha vendbanimet e komunës kanë nevojë për një kryetar që qëndron pranë qytetarëve, nuk luan me të ardhmen e tyre dhe nuk lejon që interesat e Bërvenicës të vendosen nga të tjerët.
Në mesazhin e tij, Ahmeti ngriti edhe çështjen e respektimit të vullnetit të qytetarëve, duke iu referuar zhvillimeve politike të një viti më parë dhe duke theksuar nevojën për një përfaqësim që buron nga besimi dhe vullneti i tyre.
Ahmeti shprehu bindjen se qytetarët e Bërvenicës e njohin alternativën që, sipas tij, ofron perspektivë dhe zhvillim, duke mbështetur kandidaturën e Arkin Jahijit për kryetar të komunës.
“Bërvenica meriton dinjitet, përfaqësim dhe zhvillim!”, ishte mesazhi i përcjellë në kuadër të takimit me qytetarët e Gurguricës.
Në përfundim, u ritheksua mbështetja për kandidaturën e Arkin Jahijit dhe vizionin për një Bërvenicë që vendos vetë për të ardhmen e saj.





