AKTUALE

Përfundon manifestimi tradicional „Synetimi 2026“, rreth 300 fëmijë përfituan nga projekti

Me një manifestim kulturor të organizuar në Kalanë e Shkupit, ka përfunduar aktiviteti tradicional „Synetimi 2026“, i organizuar nga Organizata Humanitare „El Hilal“ në bashkëpunim me Qytetin e Konjës nga Republika e Turqisë dhe Komunën e Çairit.

Projekti, i cili realizohet tashmë për 22 vjet me radhë, këtë vit ka përfshirë rreth 300 fëmijë nga familje në nevojë, në nëntë qytete të vendit. Mbështetjen financiare për realizimin e aktivitetit e kanë dhënë donatorët nga Konja, të cilët kanë siguruar veshjet tradicionale të synetisë dhe kanë mbuluar shërbimet e nevojshme mjekësore.

Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë mysafirë nga Konja, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që kanë mbështetur projektin.

Zëvendëskryetari i Qytetit të Konjës, Ahmet Murat Koru, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e aktit të synetisë dhe mbështetjen e vazhdueshme që qyteti i Konjës i jep këtij projekti. Ai vuri në pah se aktiviteti synon të kontribuojë në zbutjen e varfërisë dhe forcimin e lidhjeve vëllazërore ndërmjet popujve që ndajnë një kulturë të përbashkët.

Manifestimi u hap nga Hafiz Ajdin Jahja me lexim nga Kurani Famëlartë, ndërsa Ali Sadiku, zëvendëskryetar i „El Hilalit“, foli për rëndësinë dhe aspektin fetar të synetisë.

Kryetari i „El Hilalit“, Behixhudin Shehapi, falënderoi Qytetin e Konjës dhe Komunën e Çairit për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se projekti ngërthen në vete dimensione kulturore, fetare, etike dhe shëndetësore.
Në emër të Ambasadës së Republikës së Turqisë, të pranishmit i përshëndeti atasheu për çështje fetare, Mustafa Bodur, i cili bëri edhe lutjen për fëmijët e synetuar.

Pas defilesë së fëmijëve të veshur me kostumet tradicionale të synetisë, programi vijoi me pjesën artistike. Para të pranishmëve performuan grupi i ilahive i Ajdin Jahjas, Ansambli „Ilirida“ nga Shkupi dhe grupi „Yeni Hayat“ nga Tetova.

Manifestimi u përmbyll me një koktej rasti, ku për të pranishmit u shërbyen pilav dhe hallvë tradicionale, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë festive dhe të veçantë për fëmijët dhe familjet e tyre.

Banner

Related posts

Demant dhe kerkesë për falje publike nga ministri i kulturës Zoran Ljutkov

Gjyla Halili

Në ditën e fundit janë prodhuar 13.114 MWh energji elektrike

admin

“Një copëzë rinore nga Uskana në Dortmund” do të realizohet drama “Mëdyshja”

Gjyla Halili