Lajme

Transporti publik falas për banorët e fshatrave të malësisë së Tetovës

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, promovoi sot linjën e re të transportit publik falas, Tetovë – Brodec – Veshallë – Bozovcë dhe anasjelltas, një projekt që synon të përmirësojë lëvizjen e banorëve të Malësisë së Tetovës drejt qytetit.

Gjatë promovimit, Kasami theksoi se linja do të funksionojë gjashtë ditë në javë dhe do të lehtësojë qasjen e banorëve në shërbimet publike, arsimin dhe aktivitetet ekonomike në Tetovë.

“Sot kemi kënaqësinë e veçantë që nga fshati Bozovcë të promovojmë linjën e transportit publik falas, të organizuar nga Komuna e Tetovës për fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Kjo linjë do të funksionojë gjashtë ditë në javë. Nisja do të bëhet në orën 07:00 nga Bozovca, ndërsa në mbrëmje, në orën 17:30, do të ketë kthim nga Tetova. Ky është një projekt që e kemi premtuar dhe sot po fillojmë zbatimin e tij për të gjithë banorët e kësaj zone”, – tha Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Kasami njoftoi gjithashtu se Tetova pritet të përfitojë pesë autobusë elektrikë përmes një projekti qeveritar, ndërsa komuna do të sigurojë edhe pesë minibusë për banorët e Malësisë së Tetovës.

“Presim që përmes projektit të Qeverisë për mbështetjen e transportit publik të sigurojmë pesë autobusë elektrikë. Po ashtu, nga buxheti i Komunës së Tetovës do të sigurohen edhe pesë minibusë. Me këtë po zgjerojmë çdo ditë shërbimet e transportit publik për të gjithë qytetarët e Tetovës, veçanërisht për banorët e Malësisë”, – deklaroi Kasami.

Linja e re pritet të lehtësojë qarkullimin e përditshëm të banorëve dhe vizitorëve, duke ofruar një alternativë të sigurt dhe të rregullt transporti ndërmjet Tetovës dhe vendbanimeve të Malësisë së Sharrit.

Banner

Related posts

Prishtina në gatishmëri për verën e nxehtë, komuna dhe zjarrfikësit bëjnë apel për kujdes

Admin2

Përplasje në Rrjoll, banorët rrëzojnë gardhin rrethues metalik dhe bllokojnë mjetet e rënda të punës

Admin2

Fillimi i gjykimit për vrasjen e Danka Iliq varet nga dy vendime

Admin2