Nga 1 deri më 3 qershor, Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, e udhëhequr nga ministri Marash Dukaj, në bashkëpunim me Qendrën për Ndërtimin e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C), organizon një vizitë rajonale ministrore në Samitin Kibernetik të Parisit (Paris Cyber Summit).
Duke udhëhequr delegacionin rajonal në një prej forumeve më të rëndësishme botërore të sigurisë kibernetike, Mali i Zi konfirmon aftësinë e tij për të bashkuar rajonin, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të kontribuar në mënyrë aktive në krijimin e agjendës evropiane të sigurisë dhe digjitalizimit. Roli i vendit pritës të WB3C-së forcon më tej pozicionin e shtetit si një qendër rajonale për zhvillimin e kapaciteteve kibernetike në përputhje me standardet evropiane dhe ato të NATO-s.
Delegacioni do të përbëhet nga ministra dhe përfaqësues të lartë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët përmes një sërë takimesh të nivelit të lartë me partnerë evropianë, francezë, të NATO-s dhe globalë, do të konfirmojnë angazhimin e përbashkët të rajonit për forcimin e rezistencës kibernetike, sigurisë digjitale dhe stabilitetit institucional.
Programi i vizitës përfshin një tryezë të rrumbullakët ministrore në Senatin e Republikës së Francës, pjesëmarrjen në Samitin Kibernetik të Parisit, takime me institucione dhe kompani lider ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe vizitën në “Campus Cyber” francez, një prej qendrave më të rëndësishme evropiane për inovacione dhe bashkëpunim kibernetik.
