
Edhe pse po bëhet një muaj që nga mbajtja e protestës së studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, nga institucionet kompetente nuk ka ende asnjë zgjidhje. Përveç kësaj, nuk janë bërë publike as emrat e ekspertëve që janë angazhuar në grupin e punës. Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, kritikon institucionet për mungesë transparence për zgjidhjen e çështjes. Ai thotë se studentët kanë marrë vetëm premtime, por jo edhe hapa konkretë. Për këtë arsye, Ademi njofton se po përgatiten për hapa të mëtejshëm, përfshirë mundësinë e një proteste tjetër.
“Bëhen gati dy vite që kemi dorëzuar kërkesën e parë për mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe, gati katër muaj që kur e kemi dorëzuar peticionin dhe pak ditë bëhen gati një muaj që e kemi pasur protestën e parë, dhe përveç premtimeve diçka konkrete nuk kemi parë. Nuk jemi kontaktuar të dimë se çfarë po bëhet apo çfarë hapa do të ndërmerren, apo si mendohet të zgjidhet, kush janë pjesë e këtyre grupeve të punës dhe kjo është ajo pikëpyetja te ne se për çfarë janë krijuar ato grupe të punës, derisa ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është shumë i qartë. Realisht, ne kemi pasur para një jave takimin me grupin organizativ dhe përgatitemi për hapat e radhës, ndoshta edhe protestën e radhës, sepse shohim që nuk ka ende asgjë konkrete”, tha Mevlan Ademi – student.
TV 21 drejtoi pyetje deri te qeveria, nga ku thonë se po punohet në këtë drejtim dhe të gjitha detajet do të publikohen pas finalizimit të procesit, duke përfshirë edhe publikimin e emrave të grupëve të punës.
“Në lidhje me pyetjen tuaj, ju informojmë se procesi është në vijim dhe punohet për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme. Në momentin kur do të ketë informacione më konkrete që mund të ndahen me opinionin, të njëjtat do të komunikohen në mënyrë transparente. Pas finalizimit të procesit, do të publikohen edhe të gjitha detajet relevante, duke përfshirë emrat dhe vetë zgjidhjen”, thonë nga qeveria.
Nga ana tjetër, për profesorin Mersim Maksuti, nuk ka nevojë për komisione, pasi sipas tij, ato vetëm po i zvarrisin proceset dhe janë të politizuara.
