
Rami Mislimi
Më kujtohen fjalët e artistes së madhe Luiza Xhuvani për djalin e saj, i cili vrau katër të rinj në Tiranë. Para opinionit publik, në fjalimin e saj të dorëheqjes si deputete, ajo tha “pavarësisht se djali im për të tjerët është vrasës, për mua do të mbetet gjithmonë djali im, dhe unë jam nëna e Konstadinit”.
Këtë fjali dua ta lidh me rastin që po etiketohet një nënë dhe një ish kryetare komune pra Teuta Arifi e që po gjykohet si nënë e një djali të mitur për një rrugë të tij të errët pa dëshirën e saj.
Si prind i një djali, jam thellësisht i prekur nga rruga që ka marrë një 16-vjeçar, një moshatar i djalit tim, një fëmijë i rritur mes librave dhe kulturës, mes edukimit dhe sakrificës së një nëne.
Kjo është dhimbje që nuk shpjegohet. Kjo është lidhja që nuk prishet kurrë mes një nëne dhe një djali, pavarësisht rrugës që zgjedh fëmiu.
Askush nuk e rrit një fëmijë për ta parë duke humbur rrugën. Askush në botë nuk sakrifikon vite të tëra për fëmiun dhe një ditë të përballet me dhimbjen dhe gjykimin e publikut.
Dhe mbi të gjitha asnjë nënë nuk e meriton të kryqëzohet për një plagë pa dëshirën e saj, sepse një 16-vjeçar nuk është kriminel i lindur, ai është një fëmijë, një fëmijë që mund edhe të gabojë, një fëmijë që mund edhe të manipulohet.
E ne si shoqëri, në momentet më të vështira familjare, shpesh zgjedhim të godasim ata që kërkojnë heshtje derisa të dalë e vërteta. Paragjykojmë, marrim rolin e Zotit, gjykojmë para prokurorisë e gjykatës, bëhemi policë para policisë vetëm për të dëmtuar dhe për t’u ushqyer me fatkeqësinë e tjetrit.
Sot, më shumë se kurrë, dua të mbroj një nënë, dua të mbrojë Teuta Arifin sepse dhimbja e saj nuk ka masë, dhe nuk është dhimbje me dëshirën e saj është dhumbje që e ndjej edhe unë si një baba i një djali 16 vjeçar.
Dhe sot është Teuta dhe djali i saj, nesër mund të jem unë dhe djali im, pasnesër je ti dhe djali yt. Prandaj duhet të godasim fenomenin dhe sistemin që e lejon këtë, jo një fëmijë e aq më pak një nënë.
Çfarë faji ka nëna? Çfarë faji kam unë nesër, apo ti pasnesër, nëse dikush arrin të ndikojë tek fëmijët tanë?
Nëse sot bashkohemi për të treguar solidaritet me një nënë dhe për të mbrojtur fëmijët nga manipulimi, nesër secili prej nesh mund të shmangë një fatkeqësi të tillë në derën e vet.
Dhe në fund unë mbetëm babi i djalit tim, e Teuta mbetët nëna e djalit të saj pavarësisht, gabimve të tyre. Andaj mos u gëzo me një fatkeqësi, por të bëhemi bashkë ti mbrojmë fëmijët nga çdo rrugë e errët që mund të futen.
