
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se “protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet të zgjidhet nga Kuvendi dhe aktorët politikë atje në respekt të marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave të patjetërsueshme e të pakthyeshme të komunitetit shtetformues”.
Duke iu përgjigjur deputetes së PD-së, Ina Zhupa, e cila kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një deklaratë të përbashkët të opozitës dhe mazhorancës lidhur me këtë protestë ministri Hoxha tha se “kam bërë të paktën tre deklarata përfshirë takimin me udhëheqësin e studentëve atje. Jemi shumë të vëmendshëm dhe po e ndjekim situatën me kujdes”.
Hoxha tha se “nuk kemi asnjë mungesë dakordësie lidhur me këtë çështje”.
Sa i përket Samitit të Diasporës, Hoxha tha se “ky samit rezultoi një sukses i padiskutueshëm, një takim përmbajtësor, ku si asnjëherë më parë kemi trajtuar aspektin më të gjerë të të gjitha çështjeve që kanë rëndësi për diasporën dhe për ne. Për herë të parë ne nuk kërkuam të na thotë se çfarë mund të bëjë diaspora për ne, për Shqipërinë, për të gjithë ne, por çfarë mund të bëjmë bashkë. Në vijim të asaj që tha deputetja Zhupa ne nuk kemi bërë një analzië të tre samtëve të para dhe ne pas një dekade kemi arritur një pjekuri të mjaftueshme për të parë se si mund të shkojmë në nivelin tjetër”.
Niveli tjetër, vijoi Hoxha, është të gjejmë format, mekanizmat dhe çfarëdo lloj mënyrë që të jemi të bashkangazhuar.
“Diapsora është vazhdim i Shqipërisë jashtë vendit, aktor, e duam aktor dhe nuk kemi bërë monolog, por dialog. Diskutimet edhe ato që janë publikuar në media dhe ato që janë kundërshtuar dhe kritikuar kemi pasur një dialog të njëmendtë. Si asnjëherë tjetër në 20 panele nuk ka bërë vaki të kemi panele te tilla për çështje që kanë gjithmonë aty si identitet, rinia, ekonomia, tregtia, por kemi shkuar te bujqësia, zhvillimi lokal tek sporti integrimi europian sepse janë tema për të cilat duam të bashkëpunojmë”, tha Hoxha duke shtuar se kjo ka qenë në themel të kolonave kryesore të aktivitetit.
Ministri Hoxha tha se i ka ftuar deputetët për të marrë pjesë në hapjen e samit, në mbrëmjen gala dhe të gjithë kryetarët e komisioneve përfshirë Zhupën, tek mëngjesi i vëllazërimit.
“Ju ftuam për të marrë pjese tek diçka që është unike, ku të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare jashtë vendit në diasporë dhe në Shqipëri për herë të parë bënë një lutje për Shqipërinë dhe flamurin”, tha Hoxha.
