
Në përvjetorin e Betejës së Koshares, kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kujtuar me respekt të thellë sakrificën e luftëtarëve që u bashkuan nga të gjitha trevat shqiptare për idealin e lirisë.
Ai theksoi se në Koshare, luftëtarët e Brigada 138 e UÇK-së shkruan një kapitull të paharrueshëm të historisë kombëtare, duke bërë realitet ëndrrën për rrëzimin e kufijve që ndanin shqiptarët.
“Me nderim përulemi para atyre që dhanë gjithçka për këtë ideal të madh, sepse besonin se liria e atdheut është mbi çdo sakrificë. Ata mbeten përjetësisht në ndërgjegjen dhe kujtesën e popullit tonë, si themel i shtetit të Kosovës”, thuhet në mesazhin përkujtimor.
Ahmeti ka nderuar gjithashtu edhe luftëtarët e Brigada 162 “Agim Bajrami” nga Kaçaniku, të cilët 26 vite më parë ranë heroikisht në mbrojtje të vendit.
Në mesazhin e tij, ai ka kujtuar me dhimbje dhe respekt edhe martirët e pafajshëm të vrarë në Prroi i Rakocit dhe në Lagjja e Re.
Në fund, ai ka theksuar se lavdia dhe mirënjohja u takojnë të gjithë atyre që sakrifikuan për atdheun dhe dinjitetin kombëtar.
Ja postimi plotë:
Në përvjetorin e betejës së lavdishme të Koshares, kujtojmë me respekt të thellë sakrificën e bijve më të mirë të kombit, të cilët nga të gjitha trevat shqiptare u bashkuan në një ideal të vetëm, lirinë. Në atë tokë të shenjtë, luftëtarët e Brigadës 138 të UÇK-së shkruan një kapitull të paharrueshëm të historisë sonë, duke bërë realitet ëndrrën e kahershme për rrëzimin e kufijve që ndanin shqiptarët.
Me nderim përulemi para atyre që dhanë gjithçka për këtë ideal të madh, sepse besonin se liria e atdheut është mbi çdo sakrificë. Ata nuk janë më fizikisht mes nesh, por mbeten përjetësisht në ndërgjegjen dhe kujtesën e popullit tonë, si themel i shtetit të Kosovës.
Në këtë ditë përkujtimi, nderojmë gjithashtu edhe trimat e Brigadës 162 “Agim Bajrami” nga Kaçaniku, të cilët 26 vite më parë ranë heroikisht në mbrojtje të vendit. Po ashtu, kujtojmë me dhimbje dhe respekt martirët e pafajshëm të vrarë mizorisht te “Prroi i Rakocit” dhe në “Lagjën e Re”.
Lavdia dhe mirënjohja jonë u takon të gjithë atyre që u ngritën për të mbrojtur atdheun dhe dinjitetin kombëtar.
