
Protesta e studentëve shqiptarë në Shkup është shoqëruar me mesazhe të forta nga organizatorët. Njëri prej tyre, Mevlan Ademi, para protestuesve ka paraqitur kërkesat e studentëve duke theksuar se protesta është reagim për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Ademi tha se është e dhimbshme që në vitin 2026 studentët të detyrohen të dalin në rrugë për gjuhën e tyre transmeton Tetovasot .
“Po ja ku jemi. Para se të jemi studentë, profesionistë, ne jemi shqiptarë. Dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Gjuha shqipe është mënyra se si jetojmë, si flasim dhe si kemi ardhur deri këtu”, deklaroi Ademi.
Ai theksoi se gjuha shqipe nuk negociohet dhe se studentët kërkojnë vetëm barazi.
“Kjo është minimumi, baza e dinjitetit. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi. Ne nuk jemi kundër askujt, jemi këtu për veten tonë, për gjuhën tonë dhe për të ardhmen tonë”, u shpreh ai.
Sipas Ademit, studentët nuk do të lejojnë që gjuha shqipe të trajtohet si opsion, pasi ajo përfaqëson identitetin e tyre.
“Ne po themi qartë: nuk ka shtet të së drejtës pa barazi të gjuhës. Jemi brezi që nuk hesht, nuk dorëzohet, brezi që mbron dhe flet shqip”, tha mes tjerash Ademi.
