
Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka akuzuar VMRO-DPMNE për një strategji të qëllimshme për dobësimin e gjuhës shqipe në aspektin institucional, andaj bëri thirrje për mobilizim për proestën e sotme që mbahet nga studentët.
Sipas Osmanit, deputetët e VMRO-DPMNE-së në Parlament në të kaluarën kanë tentuar fizikisht të pengojnë miratimin e ligjit për gjuhën, ndërsa ish-presidenti Gjorge Ivanov kishte refuzuar ta nënshkruajë atë, duke detyruar rikthimin e ligjit për rivotim.
Ai rikujtoi se kjo parti e kishte kontestuar ligjin edhe në Gjykatën Kushtetuese gjatë kohës që ishte në opozitë, ndërsa pas ardhjes në pushtet, sipas tij, ka ndikuar në këtë institucion për ta mbyllur çështjen.
Osmani akuzon gjithashtu për ndërhyrje në institucionet që lidhen me zbatimin e gjuhës, duke pretenduar se Inspektoratit i është hequr pavarësia dhe është futur nën Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa Agjencia për përdorimin e gjuhës është “shndërruar në një hije pa zë”.
Në reagimin e tij, ai përmend edhe ndryshime simbolike dhe praktike, si heqja e gjuhës shqipe nga logot e ministrive, dokumentet zyrtare dhe përdorimi institucional, duke paralajmëruar për një përgatitje të narrativit për ndryshime ligjore më të thella.
“Bëhet fjalë për një politikë të planifikuar dhe të paramenduar mirë”, thekson Osmani, duke shtuar se në këtë proces, sipas tij, janë përfshirë edhe disa aktorë politikë shqiptarë.
Në fund, ai bën thirrje për unitet dhe mobilizim, duke theksuar se çështja e gjuhës tejkalon ndarjet partiake dhe kërkon përfshirjen e të gjithë qytetarëve.
Osmani u bën thirrje qytetarëve që t’u bashkohen studentëve në reagimet e tyre, duke e cilësuar këtë si “detyrim kombëtar, njerëzor dhe evropian”
