
Problemi nuk është mungesa e harmonizimit të ligjeve, por mungesa e vullnetit për të zbatuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe propozimi i këtillë i Avokatit të Popullit nuk është gjë tjetër përveç se ulje e standardit të të drejtave gjuhësore duke e kushtëzuar përdorimin e gjuhës shqipe me kërkesë. Kështu thuhet në reagimin e Sekretarit gjeneral të BDI-së, Arbër Ademi, i cili i ka reaguar iniciativës së Avokatit të Popullit për provimin e Jurisprudencës, ndërsa është vlerësuar shkresë skandaloze dhe tërësisht e gabueshme.
Reagimi i plotë i Arbër Ademit:
Qëndrimi i Avokatit të Popullit lidhur me provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit është skandaloz, tërësisht i gabueshëm, i paqëndrueshëm juridikisht dhe problematik në të paktën dy aspekte juridike.
Së pari, qëndrimi se provimi duhet të mbahet në gjuhën shqipe vetëm ME KËRKESË të kandidatit bie ndesh drejtpërdrejt me nenin 6 paragrafin 1 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili obligon institucionet që me detyrë zyrtare të sigurojnë zhvillimin e procedurave në gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj, nëse kandidati është shqiptarë dhe jo vetëm pas një kërkese të veçantë nga ana e tij.
Së dyti, qëndrimi se problemi zgjidhet me harmonizim të ligjeve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit është po ashtu në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht me nenin 23 paragrafi 4 dhe 5, sepse këto dispozita tashmë e rregullojnë qartë përdorimin e gjuhës dhe nuk lënë hapësirë që e drejta të kushtëzohet me harmonizim të ligjeve dhe me kërkesë nga kandidati.
Problemi nuk është mungesa e harmonizimit të ligjeve, por mungesa e vullnetit për të zbatuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe propozimi i këtillë i Avokatit të Popullit nuk është gjë tjetër përveç se ulje e standardit të të drejtave gjuhësore duke e kushtëzuar përdorimin e gjuhës shqipe me kërkesë. Në bazë të këtij propozimi skandaloz, me të drejtë shtrohet pyetja se çka do të ndodh nëse ligji nuk harmonizohet, a kanë të drejtë studentët apo jo?
Në raste të tilla kur s’kanë as guxim e as dije, më mirë është të mos jepen fare qëndrime dhe interpretime që krijojnë konfuzion juridik dhe dëmtojnë të drejtat e qytetarëve të garantuara me ligj dhe Kushtetutë.

