
Deputetja e Bashkimi Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të bëra në seancën e sotme nga kryetari i Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si qëndrime antishqiptare dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese të barazisë.
Sipas Ajdarit, nga deklarimet e bëra krijohet përshtypja se Kushtetuta interpretohet vetëm në funksion të një populli dhe një gjuhe, gjë që, sipas saj, bie ndesh me karakterin multietnik dhe demokratik të shtetit.
Ajo theksoi se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë aty për të shprehur mendime personale, por për të interpretuar Kushtetutën në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me parimet e saj.
“Gjykata Kushtetuese nuk është institucion i mendimeve personale. Çdo vendim duhet të bazohet në Kushtetutë dhe jo të nëpërkëmbë frymën e saj”, theksoi Ajdari.
Deputetja vlerësoi se interpretimet e tilla mund të gjenerojnë regres dhe tensione të natyrës ndëretnike, duke ardhur pikërisht nga një institucion që duhet të garantojë barazinë e të gjithë qytetarëve.
Ajdari shtoi se asnjë arsyetim nuk mund ta mbulojë, siç u shpreh ajo, “turpin e një vendimi antikushtetues”, duke theksuar se një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe multietnik nuk mund të funksionojë mbi një logjikë monoetnike.
Në reagimin e saj, ajo kritikoi edhe koalicionin VLEN për, siç tha, heshtjen e vazhdueshme për çështje që prekin interesat e shqiptarëve.
Ja postimi i plotë:
Qëndrimet antishqiptare të shprehura sot në seancë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese janë për t’u dënuar.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duket se duhet të mbrojë kushtetutën vetëm për një popull dhe një gjuhë. Edhe atë, shprehet me fjalët: “sipas mendimit tim”?! Ai dhe të gjithë anëtarët tjerë të atij institucioni nuk mund të kenë mendim vetanak për asnjë çështje sepse detyrë dhe obligim i tyre është të interpretojnë Kushtetutën. Çdo vendim që sillet aty, duhet të bazohet në Kushtetutë e jo e njejta të nëpërkëmbet.
Këtë që pamë dhe dëgjuam, ishte një interpretim i dëmshëm i cili gjeneron regres dhe probleme të natyrës ndëretnike, nga një institucion që në teori duhet të mbrojë barazinë e të gjithë qytetarëve.
Asnjë arsyetim nuk e mbulon turpin e vendimit të sotëm antikushtetues.
Nëse ky shtet pretendon të jetë demokratik dhe multietnik, funkcionimi i tij nuk mund të bazohet në një logjikë monoetnike.
E VLEN-i hesht si gjithmonë se për atë punë janë aty, e kanë detyrë të mos flasin, të mos kundërshojnë, të jenë të dëgjueshëm derisa përmbushet misioni i dëmtimit dhe defaktorizimit të shqiptarëve.
