Takimi i liderëve të partive parlamentare, i thirrur nga kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u fokusua kryesisht në çështjen e qeverisë teknike, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Avokatin e Popullit, ligjet e Agjendës Reformuese dhe procesin e integrimit evropian. Në takim morën pjesë përfaqësues të shumicës së partive parlamentare, ndërsa LSDM-ja opozitare refuzoi ftesën. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se opinioni ka qenë dëshmitar i një qasjeje ndryshe për zgjidhjen e problemeve, kurse bëri të ditur që takimi ka shkuar në atmosferë pozitive dhe konstruktive.
“Së pari dua të theksoj se sot opinioni ishte dëshmitar i një qasjeje tjetër për zgjidhjen e problemeve, diçka që nuk është bërë në tridhjetë vitet e fundit të shtetit tonë”, tha Mickoski.
Ai theksoi se janë hapur shumë çështje dhe se për një pjesë të tyre ka pasur mendime të përbashkëta. “Një numër i madh i çështjeve janë hapur, për disa prej tyre kemi mendim të njëjtë, për disa të tjera kemi mendime të ndryshme. Ajo që është me rëndësi është se takimi ishte konstruktiv”, tha Mickoski, duke shtuar se debatet do të vazhdojnë në kuadër të grupeve parlamentare.
Mickoski njoftoi se ka pajtim që projekti “Safe City” të nisë nga 1 shkurti. “Për mua ajo që është urgjente është që ‘Safe City’ të fillojë të implementohet nga 1 shkurti dhe mendoj se për këtë u pajtuam të gjithë”, tha ai. Sa i përket qeverisë teknike, Mickoski deklaroi se shumica janë për shfuqizimin e saj. “Për qeverinë teknike u pajtuam të gjithë që të hiqet. Ka pasur propozim që të koordinohemi me faktorin ndërkombëtar, por mendimi i përgjithshëm është që qeveria teknike duhet të mbetet në të kaluarën”, tha Mickoski, duke shtuar se LSDM-ja është vetëpërjashtuar nga takimi.