Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se Shqipëria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Spiropali theksoi se, kjo mbështetje nuk buron vetëm nga fqinjësia dhe e ardhmja e përbashkët që ndajnë dy vendet, por edhe nga fakti se në Maqedoninë e Veriut jeton një komunitet shqiptar shtetformues, i cili sipas censusit të fundit përbën rreth 30 për qind të popullsisë.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një faktor progresist, qartësisht pro-evropian dhe vendimtar për stabilitetin demokratik dhe orientimin euro-atlantik të vendit”, u shpreh ministrja.
Spiropali nënvizoi se në klimën aktuale gjeopolitike, ku ndikimi i aktorëve të tretë është në rritje dhe kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më agresive, roli konstruktiv i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre politikë, si në shumicë ashtu edhe në opozitë, mbetet jetik për vijimin e reformave dhe përparimin në rrugën evropiane.
Në këtë kontekst, ajo mirëpriti dhe inkurajoi zbatimin konsekuent të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si një dokument paqeje dhe bashkëjetese, të garantuar ndërkombëtarisht.
“Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleat i të dy vendeve, si dhe presidentit Trump për përfshirjen e Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i cili mbron paqen, rendin demokratik dhe vetë Marrëveshjen e Ohrit”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se mbi të gjitha, Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një standard të barazisë reale në të drejta, përfaqësim dhe dinjitet.
“Respektimi i gjuhës shqipe, i identitetit etnik dhe i përfaqësimit të drejtë janë detyrime që duhet të zbatohen plotësisht dhe pa ekuivok”, përfundoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Spiropali theksoi se, “përpos Shqiptarëve të Maqedonisë, një tjetër urë që na bashkon është pakica maqedonase në Shqipëri”
“Prandaj, kemi përmirësuar kuadrin tonë ligjor dhe politik për mbrojtjen e minoriteteve, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të komunitetit maqedonas. Janë miratuar të gjitha aktet nënligjore, përfshirë tre të fundit në dhjetor 2024. Në përputhje me këto akte, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë nisur zbatimin e VKM së posaçme për shërbime në gjuhët e minoriteteve dhe sinjalistikë dygjuhëshe”, tha ministrja.