Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, ka reaguar publikisht pas një fushate të ulët shantazhi dhe manipulimi që, sipas tij, synon të dëmtojë figurën e tij personale dhe politike.
Në deklaratën e tij, Dehari thekson se po përdoren materiale të fabrikuara dhe të pavërteta që cenojnë jetën e tij private, me qëllim për të prishur marrëdhëniet me qytetarët dhe për të ndikuar në procesin politik në prag të zgjedhjeve.
“Nuk është rastësi që kjo ndodh pikërisht tani, në një moment të rëndësishëm politik. Ky inskenim ka një objektiv të qartë: të demoralizojë mbështetësit tanë dhe të favorizojë VMRO-DPMNE-në dhe kandidatin e saj, në përpjekje për të marrë Kërçovën përmes shpifjeve dhe manipulimeve,” – deklaroi Dehari.
Kreu i Komunës së Kërçovës theksoi se këto veprime janë të orkestruara me motive politike dhe personale, duke shtuar se nuk do të lejojë që shpifjet apo presionet të ndikojnë në punën dhe misionin e tij për qytetarët.
“Kam ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë të nevojshëm për të zbardhur këtë rast dhe për të mbrojtur dinjitetin tim, familjen time dhe institucionin që përfaqësoj. E vërteta mund të vonojë, por ajo gjithmonë del në dritë,” – shtoi ai.
Në fund, Dehari falënderoi qytetarët, bashkëpunëtorët dhe miqtë për mbështetjen dhe besimin që i kanë dhënë ndër vite, duke theksuar se do të vazhdojë me dinjitet dhe qetësi punën për zhvillimin e Kërçovës.
Ja postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Në ditët e fundit, po përballem me një fushatë të ulët shantazhi dhe manipulimi, e cila synon të dëmtojë personalisht dhe politikisht figurën time. Në këtë fushatë përdoren materiale të montuara, të fabrikuara dhe plotësisht të pavërteta, që cenojnë jetën time private dhe përpiqen të prishin marrëdhëniet me njerëzit e mi të afërt dhe me qytetarët që më njohin prej vitesh.
Nuk është rastësi që gjithë kjo ndodh pikërisht tani, në prag të një procesi të rëndësishëm politik.
Ky inskenim ka një qëllim të qartë , të demoralizojë mbështetësit tanë dhe të favorizojë VMRO-DPMNE-në dhe kandidatin e saj, në përpjekje për të marrë Kërçovën përmes shpifjeve dhe manipulimeve.
Këto veprime janë të orkestruara me motive të qarta politike dhe personale.
Unë nuk do të lejoj që shpifjet, montimet apo presionet e çfarëdo forme të më ndalin në rrugën time për të shërbyer me përkushtim qytetarëve të Kërçovës.
Kam ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë të nevojshëm për të zbardhur plotësisht këtë rast dhe për të mbrojtur dinjitetin tim, familjen time dhe institucionin që përfaqësoj.
I falënderoj të gjithë qytetarët, bashkëpunëtorët dhe miqtë që më njohin për njeriun që jam dhe që nuk bien pre e gënjeshtrave.
E vërteta mund të vonojë, por ajo gjithmonë del në dritë.
Me dinjitet dhe qetësi ,vazhdoj punën për Kërçovën.