AKTUALE

Mehmet Prishtina: Kolë Gojçaj, atdhetar i vërtetë, bir i denjë i Malësisë së Hotit

Atdhetari nga Kosova Mehmet Prishtina nëpërmjet një postimi në fb ka shprehur ngushëllime të sinqerta për humbjen e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare , veteranit të Uçk-së Kolë Gojçaj.

“Na la Kolë Gojçaj – një malësor e atdhetar i vërtetë, bijë i denjë i Malsisë së Hotit, nga Traboini legjendar. Humbja e tij, vetëm dy ditë më parë, ka lënë një boshllëk të madh në zemrat tona, por edhe një kujtim të pashlyeshëm në historinë e atij trualli heroik që lindi burra të mëdhenj”- ka shkruar Mehmet Prishtina.

Ja postimi i plotë:

Përkujtim për mikun e ndjerë, z. Kolë Gojçaj

Na la Kolë Gojçaj – një malësor e atdhetar i vërtetë, bijë i denjë i Malsisë së Hotit, nga Traboini legjendar. Humbja e tij, vetëm dy ditë më parë, ka lënë një boshllëk të madh në zemrat tona, por edhe një kujtim të pashlyeshëm në historinë e atij trualli heroik që lindi burra të mëdhenj.

Kola na priti para tre vitesh në trojet e veta me zemër të madhe e shpirt fisnik, së bashku me të vëllain e tij Dolin, i cili fatkeqësisht na la edhe ai, para afro një viti. Vizita jonë në Malësinë e Madhe, në vendlindjen e kryetrimit Ded Gjo Luli, mbetet për ne një kujtim i paharrueshëm. Ajo mikpritje e ngrohtë, ajo bujari e rrallë në Kullën e Dod Gojçaj( Doli), na riktheu në kohën e viteve ’70 e ’80, kur si fëmijë dëgjonim me përkushtim bisedat e burrave në odat e Drenicës.

Në ato ditë, bashkë me nipin tim, Veton Raci, dhe të ftuar nga vëllezërit Ilir dhe Nikollë Gojçaj, shpalosëm kujtime të shumta nga historia e lavdishme e trevave tona. Çdo gur e çdo kodër atje flet për një të kaluar të lavdishme – dhe Gojçajt ishin dhe mbeten pjesë e kësaj historie.

Me ndihmën dhe nderimin e tyre, vendosëm Flamurin Kombëtar në kodrën e Deçiçit/Bratillës, pikërisht aty ku më 6 prill 1911 Ded Gjo Luli ngriti Flamurin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe.

Vizita u plotësua me ndalesa të paharrueshme në Kullën Muze të Ded Gjo Lulit, në shtëpinë e trungut familjar të sternipit Fran Dedvukaj dhe, për ta përmbyllur me nder e respekt, te Kroi i Traboinit, ku burrnesha znj. Lule na priti me sofrën plot: me turshi, raki thane, e petullat e Malsisë me mjaltë që s’harrohen lehtë.

Në emër të familjes sime dhe gjithë atyre që ishin pjesë e kësaj vizite, falënderojmë nga zemra Ilir dhe Nikollë Gojçaj për mikpritjen dhe shoqërimin e paharrueshëm. E mbi të gjitha – përjetësisht mirënjohës për Kolën tonë – njeriun e mirë, mikun besnik, e patriotin e pashoq.

Pusho në paqe, Kolë Gojçaj. Malsia të qan, por edhe të nderon!

Related posts

Osmani-Popesku: Mbështetje nga OSBE për përpjekjet e zgjidhjes së situatës në Transnistri

admin

Osmani: OSBE-ja dhe Këshilli i Europës do t’i ruajnë parimet dhe vlerat e përbashkëta demokratike

admin

Ahmeti ngushëllon familjarët e tre fëmijëve që humbën jetën në tragjedinë e Jabllanicës

Gjyla Halili