Me rasatin e përvjetorit të 28-të të rënies heroike në altarin e lirisë të heroit Luan Haradinaj, bashkëluftëtari i tij në njësit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lartë personalitetin e tij, duke theksuar se “Ai ide, ideal dhe histori”.
“Ai qëndroi në këmbë dhe luftoi me trimëri të rrallë, duke u bërë legjendë për të gjallë. Nuk dihet saktësisht sa ishin humbjet e armikut, por sipas raportimeve të vetë Serbisë, u vranë katër ushtarë dhe u plagosën dy të tjerë. E vërteta është se hakun për Luanin e morëm aty për aty”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i tij në rrjetin social:
Dita e sotme, sipas traditës sonë popullore, shënon fillimin e verës – Dita e Shëngjergjit. Kjo datë ka edhe një rëndësi të veçantë historike, pasi përkon me ditëlindjen e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Për anëtarët e gjallë të njësitit, kjo ditë bart edhe një kujtim të pashlyeshëm dhimbjeje dhe krenarie. Pikërisht sot, 28 vjet më parë, në majin e vitit 1997, ra heroikisht në fushën e betejës trimi i lirisë, Luan Haradinaj – një ndër themeluesit e rrugës së armatosur drejt çlirimit të Kosovës.
Në kohën kur Kosova po përballej me shtypjen e egër dhe politikën e aparteidit të regjimit serb, djemtë dhe vajzat më të mirë të saj u rreshtuan përballë, me vetëm një ideal: lirinë. Aksionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk arritën të ndalnin aparatin represiv të pushtuesit, andaj u mendua një tjetër formë e rezistencës – lufta guerile, e organizuar në njësi të vogla, goditëse, të lëvizshme.
Njësiti i parë që kishte misionin e qartë për fillimin e kësaj lufte ishte dhjetëshja e organizuar në mërgatë. Të pajisur me uniforma, armatim dhe ideal të pastër, u nisëm drejt kufirit shqiptaro-shqiptar më 5 dhe 6 maj 1997. Në krye të kësaj njësie ishte Luani i UÇK-së. Ai ishte më shumë se një luftëtar: ishte frymëzim, ishte udhërrëfyes, ishte shembulli që të gjithë ndiqnim.
Në kolonë ishin edhe Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi Lladrovci dhe vëllai i saj Selimi, Rafet e Gani Rama, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ramush Haradinaj dhe unë. Kishim lidhje gjaku e miqësie, por mbi të gjitha na bashkonte një besë: lufta për liri deri në fund.
Fatkeqësisht, rruga na mori ters. Në Qafë Mullari ramë në një pritë të organizuar nga forcat serbe. U zhvilluan luftime të ashpra. Të ekspozuar në terren të hapur, pa mbrojtje, u përballëm me zjarrin nga tri drejtime dhe goditje të pandërprera nga snajperë të pozicionuar mbi kodër.
Luani nuk u tërhoq. Ai qëndroi në këmbë dhe luftoi me trimëri të rrallë, duke u bërë legjendë për të gjallë. Nuk dihet saktësisht sa ishin humbjet e armikut, por sipas raportimeve të vetë Serbisë, u vranë katër ushtarë dhe u plagosën dy të tjerë. E vërteta është se hakun për Luanin e morëm aty për aty.
Nga ne, u plagosën Fehmiu, Rafeti dhe Ramushi. Abedini e pëlkeu këmbën të cilën mezi e lëvizte, duke e tërhequr zvarrë, por, asnjë nga këto plagë nuk krahasohej me plagën që na e la rënia e Luanit.
Ne nuk pranuam të dorëzoheshim. Trupi i tij nuk mbeti në fushën e betejës. Ramushi e barti trupin e vëllait mbi katër orë deri në fshat, duke mbajtur peshën më të rëndë që mund ta bartë një njeri: trupin e të vëllait të rënë për liri. Ndërkohë, gjashtë nga ne, me radhë, e bartëm Rafetin në një barelë të improvizuar.
Po të mos kishim rënë në pritë, ky njësit do të kishte luajtur një rol vendimtar në zgjerimin e luftës çlirimtare dhe historia do të kishte marrë një drejtim tjetër. Nga dhjetë anëtarët e atij grupi, sot, pesë janë heronj të kombit. Ne që mbetëm gjallë kemi detyrë jetësore ta ruajmë kujtimin, guximin dhe përkushtimin e tyre.
Luani ishte më i miri ndër ne. Ai njihte çdo rrugë, çdo monopat, çdo vendkalim në kufirin ndërshqiptar. Ai i përcillte njësitë dhe armatimin deri në destinacion, duke rrezikuar jetën në secilin hap. Rënia e tij ishte një humbje e madhe për organizimin dhe zhvillimin e mëtejmë të luftës.
Nëna Rukë, simbol i qëndresës dhe i sakrificës shqiptare, atë ditë kishte ditëlindjen. Nuk e dimë se kur e mori lajmin për rënien e Luanit, por e dimë se me atë ditë ajo mbeti përjetësisht në historinë tonë si nënë dëshmori që u bë gurthemel i lirisë.
Sot, në këtë ditë të shenjtë për ne, vendosëm lule në Sheshin e Deçanit dhe pranë Memorialit të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan. Po ashtu, mbajtëm një akademi përkujtimore në Prishtinë. Me përulje, me krenari dhe me lot në sy, bëmë homazhe në kujtim të Luan Haradinajt, Beg Rizajt, Sali Çekajt, Smail Haradinajt dhe nderuam të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit. Në këtë përkujtim morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, veteranë të UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Jeta dhe vepra e Luanit do të mbeten përherë frymëzim për brezat që do të vijnë. Ai nuk ishte thjesht një luftëtar. Ai ishte ide, ideal dhe histori.
Lavdi jetës dhe veprës së Luan Haradinajt!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
https://www.facebook.com/share/1Ed1kFo6v3/?mibextid=wwXIfr

