Kocevski, kur foli të dielën, tha se i ka parasysh vëzhgimet kritike të opinionit profesional. Në mbështetje të qasjes së tij, ai solli si argument tre zjarre në shtete të tjera me skenar pothuajse identik si në Koçani. Tha se i ngjashëm ishte edhe qëndrimi i organeve të drejtësisë atje në tragjeditë në klubin “Colectiv” në Bukuresht, Rumani në vitin 2015, në “Kiss” në Santa Maria, Brazil në vitin 2013 dhe “The Station” në West Warwick, SHBA në vitin 2003. Në të gjitha rastet ka shumë viktima, dhe shkaku i drejtpërdrejtë është piroteknika në kombinim me materiale lehtësisht të djegshme. Por, e vërteta del të jetë krejtësisht tjetër! Më poshtë ju ftojmë ta lexoni analizën e përgatitur nga redaksia e 360°
Shkup, 18 prill – E diela është ditë pushimi. Por, e kaluara nuk ishte e tillë për prokurorin publik shtetëror, Lupço Kocevski dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
Shkaku i konferencës për shtyp ishte zgjerimi i hetimit për zjarrin në Koçani me edhe 19 persona. Me këtë, në atë moment, numri i të dyshuarve u rrit në gjithsej 52. Bilanci, që atëherë, u rrit edhe një herë – në 59.
Kauzaliteti
Ka kaq shumë të dyshuar sepse prokuroria ndjek penalisht edhe ata që dyshohen si përgjegjës të drejtpërdrejtë për zjarrin, por edhe ata që, sipas prokurorisë, kanë kontribuar në rezultatin.
“Po hetohet përgjegjësia e të gjitha institucioneve dhe personave zyrtarë të cilët me veprimet dhe lëshimet e tyre joligjore, në mënyrë të vazhdueshme çuan në atë që kabareja PULS në Koçanë që nga fillimi, për një periudhë të gjatë kohe e deri në ndodhjen e zjarrit, të vazhdojë të kryejë veprimtari të shërbimeve pa i plotësuar fare kushtet ligjore për këtë dhe me shkeljen e të gjitha rregullave të sigurisë për jetën e personave që e frekuentonin objektin”, deklaroi prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski, më 13 prill 2025.
Termi kyç këtu është kauzaliteti. Në thelb, kjo do të thotë që përgjegjësia penale kërkohet jo vetëm për veprimet që kanë kontribuar drejtpërdrejt në zjarrin, por edhe për një seri lëshimesh që bashkë çuan në atë që objekti të funksionojë fare.
“Objekt analizimi është edhe efekti i ashtuquajtur kumulativ i lëshimeve. Nëse disa persona të ndryshëm gjatë një periudhe të gjatë kohe bëjnë lëshime të përsëritura, ata janë pjesë e një lidhjeje më të gjerë shkaktare. Kjo do të thotë se edhe nëse një lëshim individual nuk është shkaku i drejtpërdrejtë i dëmit, efekti i tyre i përbashkët mund të jetë kritik. Injorimi i vazhdueshëm i rrezikut në një periudhë të gjatë kohe mund të krijojë bazë për përgjegjësi ligjore ose etike”, tha Kocevski.
Ky qasje ndoshta krijon përshtypjen në opinion se institucionet po punojnë seriozisht në ndriçimin e rastit, në të gjitha aspektet e tij. Por, te një pjesë e opinionit profesional ka hasur dhe has në rezervë.
“Problemi me kauzalitetin është që paraprakisht u krijua një përshtypje në opinion se çdo veprim kauzal është veprim fajtor, i qëllimshëm. Por, në thelb, nuk është kështu. Sepse, një veprim i caktuar mund të jetë shkaktar për një pasojë të caktuar, mirëpo kjo nuk do të thotë vetvetiu që është joligjore, dhe së dyti se është fajtor apo i qëllimshëm. Konkretisht, është e pakontestueshme që ka lëshime nga të gjitha anët, nga të gjithë që kanë marrë pjesë, jo vetëm nga viti 2012, por që nga fillimi i shtetësisë sonë ka lëshime në segmente të ndryshme të shoqërisë. Mirëpo, çështja thelbësore që duhet të përcaktohet, dhe jo vetëm të përcaktohet por edhe të provohet, është qëllimi i pjesëmarrësve në veprimet e lëshimit. Është e pakontestueshme që dikush që ka qenë inspektor ndërtimi ose mbikëqyrës i objektit kur është bërë ri-destinimi… është e mundur që nuk ka ndërmarrë një veprim, mirëpo nuk ka pasur në qëllim pasojën që ndodhi në fund”, thotë avokati Zlatko Jakimovski.
Prokurori shtetëror, Kocevski, kur foli të dielën, tha se i ka parasysh vëzhgimet kritike të opinionit profesional. Në mbështetje të qasjes së tij, ai solli si argument tre zjarre në shtete të tjera me skenar pothuajse identik si në Koçani. Tha se i ngjashëm ishte edhe qëndrimi i organeve të drejtësisë atje në tragjeditë në klubin “Colectiv” në Bukuresht, Rumani në vitin 2015, në “Kiss” në Santa Maria, Brazil në vitin 2013 dhe “The Station” në West Warwick, SHBA në vitin 2003. Në të gjitha rastet ka shumë viktima, dhe shkaku i drejtpërdrejtë është piroteknika në kombinim me materiale lehtësisht të djegshme.
“Përgjegjësia nuk ishte e kufizuar vetëm te ata që drejtpërdrejt e shkaktuan zjarrin, por edhe te ata që mundësuan kushte të rrezikshme përmes një serie lëshimesh administrative dhe mbikëqyrëse. Kjo tregon që ligji e njeh kauzalitetin afatgjatë, veçanërisht kur ekziston një model i qartë injorimi të rreziqeve që rezulton në katastrofë”, tha Kocevski të dielën.
Pra, fillimisht kërkuam në internet konfirmim për atë që tha Kocevski. Doli që nuk është tamam ashtu.
Pas zjarrit në “The Station” në SHBA, janë akuzuar dhe dënuar tre persona – dy pronarët e klubit për vrasje nga pakujdesia të 100 personave dhe organizatori i koncertit. Është konstatuar përgjegjësi e tërthortë për lëshime te organet mbikëqyrëse që nuk vunë re se në klub kishte sfungjerë të djegshëm për izolim zanor, por kjo nuk rezultoi me ndjekje penale të tyre.
Pas zjarrit në “Kiss” në Brazil, ku humbën jetën 242 persona, u dënuan katër persona – dy pronarët e klubit dhe dy anëtarë të bendit që performuan atë natë. U gjykuan për vrasje dhe tentativë vrasjeje. Nuk ka informacione që të jenë ndjekur persona të tjerë me përgjegjësi tërthore.
Pas zjarrit në “Colectiv” në Bukuresht, ku humbën jetën 64 persona, janë hapur dy çështje. Në të parën, janë dënuar pronarët e klubit, pirotekniku, por edhe kryetari i komunës dhe dy zjarrfikës. Kryetari dhe zjarrfikësit janë ndjekur për përgjegjësi tërthore, pasi kanë lejuar klubin të funksionojë pa përmbushur kushtet e duhura. Çështja e dytë ka qenë për ministrin e Shëndetësisë, që kërkoi me vonesë transferimin e pacientëve jashtë vendit, çka çoi në shumë të vdekur në mesin e të plagosurve. Ai rast më pas u hodh poshtë.