Të nderuar të pranishëm, i dashur Ertan, të dashur anëtarë të Shoqatës SOS Vita, shumë shpesh e dëgjojmë fjalën se Ramazani na bashkon, por pas 20 e disa ditëve të agjërimit, sonte në mënyrë të veçantë ndjeva bashkimin, sepse na bashkoi zemra e madhe e Ertanit dhe zemrat e anëtarëve të SOS Vita.
Këtu sonte mendoj se të gjithe ne, nuk kemi ardhur ta ushqejmë vetëm trupin por më shumë për ta ushqyer shpirtin me mirësi, tolerancë, solidaritet dhe humanizëm, ashtu siç e rekomandon feja jonë në veçanti në muajin e shenjtë të Ramazanit.
Ky iftar sonte është nga më të veçantit për mua, sepse me zemrën plot po ndajmë me personat më të veçantë momentin e besimit se Zoti na e ka pranuar agjërimin.
Edhepse po i afrohemi fundit të këtij muaji të bekuar, dua që nga ky vend të porosis të gjithë njerëzit e mirë, humanistët dhe dashamirët e personave me nevoja të veçanta, që kjo praktikë e humanizmit dhe zgjatja e dorës për personat me nevoja të veçantë të vazhdojë edhe në 11 muajt tjerë të vitit, sepse nuk ka vepër më të mirë se kur bëjmë që dikush të buzëqesh!
Për këtë, shembull më të mirë kemi Ertanin i cili pavarësisht pengesave fizike, ai me zemër të madhe ka sakrifikuar dhe vazhdon të sakrifikojë për te përkrahur dhe ndihmuar çdo personi me nevoja të veçanta dhe rezultatet e tija janë të dukshme.
Të nderuar, Pasi që jemi në ditët e fundit të këtij muaji të bekuar, dua që të gjithë atyre që Zoti ua ka mundësuar të agjërojnë, tua pranojë agjërimin dhe lutjet dhe njëherit t’ju uroj të gjithëve të pritni festën e Bajramit pranë më të dashurve tuaj, në një atmosferë të lumtur, me sofër të begatë dhe me zemrat plot dashuri dhe mirësi!
Zoti qoftë me ju gjithmonë!
Ju faleminderit!