AKTUALE

PROMOVIMI I PRODUKTEVE HALLALL ËSHTË IMPERATIV I KOHËS

Drejtori i Agjencionit për Hallall Standard në kuadër të BFI-së, z. Driton Dikena, i shoqëruar nga referenti për vakëf, Seadin ef. Bilali, mori pjesë në “Ditën e hapur” për biznese të cilën e organizoi Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, mes bizneseve anëtare të Odës dhe përfaqësuesve të Qeverisë, ku i pranishëm ishte zv.kryeministri z. Izet Mexhiti, si dhe drejtori i Agjencisë për investime të huaja dhe promovim të eksportit, z. Refik Xhemaili.
Kjo ditë e hapur u organizua me qëllim që biznesi dhe përfaqësuesit e shtetit të diskutojnë hapur për problemet me të cilat ballafaqohen kompanitë në vendin tonë, dhënien e sugjerimeve, por edhe krijimin e masave dhe mundësive për zhvillim sa më të shpejt të bizneseve dhe ekonomisë së vendit.
Në këtë event z. Driton Dikena kërkoi që shteti të rrisë buxhetin për promovimin e produkteve të certifikuara Hallall në tregun e botës arabe dhe atë ndërkombëtar.
“Pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare është një mundësi e artë për të promovuar prodhimet vendore dhe për të ndërtuar rrjete të reja bashkëpunimi me tregjet ndërkombëtare. Është e rëndësishme që bizneset tona të kenë qasje në këto platforma globale për të treguar cilësinë dhe potencialin e produkteve tona. Megjithatë, ky proces kërkon mbështetje konkrete nga shteti, qoftë përmes subvencioneve, qasjeve lehtësuese, apo mbulimit të kostove të pjesëmarrjes. Një bashkëpunim më i afërt mes sektorit publik dhe privat është thelbësor për të maksimizuar ndikimin e këtyre panaireve dhe për të rritur eksportet tona,” theksoi Dikena gjatë diskutimit.

Kryetari i OEMVP-së, z. Mendi Qyra, tha: “Është thelbësore që të krijojmë një mjedis të qëndrueshëm për bizneset tona, duke përfshirë promovimin aktiv të produkteve lokale dhe qasjen më të lehtë në financa. OEMVP do të vazhdojë të mbështesë dhe të jetë ura lidhëse mes sektorit privat dhe institucioneve qeveritare.”

Zv/kryeministri, z. Izet Mexhiti, deklaroi se janë angazhuar për financimin e bizneseve, veçanërisht për zgjerimin e kapaciteteve aktuale, duke siguruar 250 milionë euro nga një linjë kreditore e favorshme nga Hungaria. Ai theksoi se këto mjete janë të aksesueshme për të gjitha subjektet pa diskriminim. Gjithashtu, ai vuri në dukje se ndërtimi i Korridorit 8 ofron një mundësi të madhe për bizneset e rajonit të Pollogut, ndërsa politikat fiskale janë përmirësuar për të stimuluar bizneset.

Drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, z. Refik Xhemaili, prezantoi të dhëna të fundit mbi kompanitë që aplikojnë për grante për investime dhe informoi pjesëmarrësit për mundësitë e aplikimit për fonde.

Anëtarët e OEMVP-së diskutuan drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Qeverisë mbi masat dhe ligjet, duke adresuar pyetje dhe shqetësime rreth mbështetjes për bizneset. Ngjarja, organizuar nga OEMVP, shërbeu për të forcuar dialogun dhe për të ofruar mbështetje praktike për kompanitë në zhvillimin e tyre.

Related posts

Anëtari i VMRO-së e kërcënon Ali Ahmetin me jetë

Gjyla Halili

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu nesër do të vizitojë Maqedoninë e Veriut

admin

Zgjedhjet e 8 majit, Hasani: Fronti Europian merr mbi 23 deputet (VIDEO)

Gjyla Halili