Në kuadër të angazhimit për forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare, Drejtori i sektorit për diaspor pranë Bashkësisë Fetare Islame, Mafiz Rustemi, është për vizitë në disa xhami të Zvicrës, ku takohet me hoxhallarët, xhematet dhe përfaqësuesit e këshillave të xhamive.
– Drejtori e nisi vizitën e tij me Xhaminë Mekka, ku u prit nga hoxha Nimetullah ef. Veseli dhe xhemati. Në këtë xhami, ai mbajti ligjëratën e xhumasë dhe udhëhoqi faljen e namazit të xhumasë. Pastaj biseduan me hoxhën dhe xhematin për aktivitet që zhvillohen në xhami, sfidat dhe sukseset e muslimanve atje.
– Më tej, drejtori vizitoi Xhaminë Buhara, ku u mirëprit nga hoxha Mr. Amet ef. Memeti dhe anëtarët e këshillit dhe xhematit. Gjatë takimit, ai gjithashtu diskutoi për sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen besimtarët në Zvicër dhe vlerësoi përkushtimin e xhematit dhe hoxhës në ruajtjen dhe kultivimin e traditave islame dhe shqiptare.
– Në Frauenfeld, drejtori vizitoi Xhaminë Mesxhidi Nur dhe u prit nga hoxha Mr. Fesal ef. Fetai. Në këtë takim, ai vlerësoi përkushtimin e qendrës islame për ofrimin e shërbimeve fetare dhe edukative për komunitetin shqiptar. U diskutuan gjithashtu ide konkrete për bashkëpunime të ardhshme në funksion të forcimit të lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes.
– Në Xhaminë Shqiptare në Salmsach/Romanshorn, hoxha Dr. Mexhit ef. Osmani organizoi një tribunë të veçantë me pjesëmarrjen e drejtorit si ligjerues. Gjatë kësaj tribunë, drejtori mbajti një fjalim ku theksoi nevojën e thellimit të lidhjes me Allahun në një kohë dinamike dhe sfiduese.
Më pastaj, gjatë bisedës me xhematin, foli për rëndësinë e kultivimit të identitetit fetar dhe kombëtar në diasporë, duke përçuar mesazhe inkurajuese dhe inspiruese për besimtarët.
Në të gjitha takimet, drejtori përcolli selame të ngrohta nga vendlindja, nga muslimanët tonë, Bashkësia Islame dhe Reisul Ulemaja. Ai përgëzoi të gjitha qendrat islame për angazhimin e tyre të palodhshëm në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave fetare dhe kombëtare, duke i konsideruar ato si ura të rëndësishme lidhëse mes diasporës dhe atdheut.
Në të njëjtën kohë, hoxhallarët dhe përfaqësuesit e këshillave të xhamive e uruan drejtorin për detyrën e tij të re, duke e siguruar për mbështetje të plotë në të gjitha nismat që janë në dobi të besimtarëve shqiptarë, si në diasporë, ashtu edhe në vendlindje.
Vizitat vazhdojnë…