Deri sa Kuvendi do të shqyrtojë iniciativën e BDI-së për shkarkimin e dy zëvendëskryeministrave të Qeverisë, Ivan Stoilkoviqit dhe Izet Mexhitit, nga kjo parti thonë se shkarkimi i Mexhitit është mundësi që ai të shpëtojë nga, siç thonë ata, “ajo që përfaqëson Stoilkoviqi, të cilin e quajnë mbështetës besnik të “botës serbe””.
Iniciativa jonë për shkarkimin e Stoilkoviqit nuk është vetëm një kundërshtim ndaj tij si individ, por një veprim i nevojshëm për të mbrojtur Maqedoninë nga politikat që minojnë unitetin dhe stabilitetin. Ne nuk mund të lejojmë që një njeri që përfaqëson agjenda të huaja dhe që përpiqet të dëmtojë tani edhe institucionalisht raportet ndëretnike dhe marrëdhëniet tona ndërkombëtare të vazhdojë të drejtojë një sektor kaq të rëndësishëm për të ardhmen tonë. Ndërkaq, iniciativa për shkarkimin e Mexhitit ka një qëllim edhe më të thellë”.
“Ky veprim nuk është vetëm një kritikë ndaj tij, por një mundësi për ta shpëtuar atë nga rreziku i shndërrimit të tij në shembëlltyrë të po të njëjtës politikë, thjeshtë të bëhet “faqja tjetër e monedhës së njëjtë” që përfaqëson Stoilkoviqi. Në fakt, me këtë mocion mosbesimi duam t’i japim mundësi Mexhitit të braktisë homologun e vet Stoilkoviq dhe të tjerë që iu shërbejnë interesave të huaja, duke e vendosur pushtetin personal mbi interesin e përgjithshëm”.
“BDI ka marrë këtë hap për ta shpëtuar Mexhitin nga rreziku që përfundimisht të bëhet pjesë e politikave që Maqedoninë e largojnë nga rruga drejt një shteti të barabartë dhe të qëndrueshëm”, thonë mes tjerash nga BDI.