AKTUALE

Koalicioni i partive shqiptare VLEN dënon ashpër retorikën nxitëse dhe polarizuese të cilën vazhdon ta përdorë BDI

Koalicioni i partive shqiptare VLEN dënon ashpër retorikën nxitëse dhe
polarizuese të cilën vazhdon ta përdorë BDI, e që për qëllim të vetëm ka
të mbulojë skandalet korruptive të përmasave marramendëse të zyrtarëve
të lartë të kësaj partie.
Thirrjet për radikalizim në secilën paraqitje publike të tyre duke
filluar nga lideri e deri te aktivisti më i thjeshtë, komunikatat me
përmbajtje antagoniste dhe përplot urrejtje ndëretnike, skenarët për
destabilizim siç ishte “roja e gjuhës” e që u dëshmua një kauzë
joekzistuese, nuk janë asgjë më shumë sesa tentime të dëshpëruara të
kësaj strukture të korruptuar politike për të mbuluar turpin dhe
kompromentimin me etnonacionalizëm. Retorika e këtillë por edhe sjellja
anarkiste e tyre qartazi janë të frymëzuara nga politikani i preferuar i
tyre Nikolla Gruevski i cili në vitin 2016 refuzonte të shkonte në
opozitë dhe kërcënonte shtetin me “Natën e thikave të gjata” – aksionin
famëkeq të Hitlerit për të eliminuar të gjithë kundërshtarët e tij
politikë.
Është dëshpëruese për opinionin vendor por sidomos për partnerët tanë
strategjikë ndërkombëtarë – SHBA, NATO, BE, OSBE, që një parti politike
e cila që nga themelimi ka promovuar pajtimin, stabilitetin, tejkalimin
e ndasive dhe integrimin evropian, sot është kthyer në organizatë
parapolitike nxitëse të konflikteve, të mosdurimit etnik, të
shpërfilljes së institucioneve dhe shkeljes së ligjit. Pyesim
publikisht: cila është fytyra e vërtetë e BDI-së? Ajo e politikave të
moderuara dhe tolerancës, apo kjo e sotmja, e kërcënimeve, e urrejtjes,
dhe çorroditjes së plotë shkaku i humbjes së pushtetit? A është BDI-ja
partia e cila proklamonte se “Maqedonia është po aq e shqiptarëve sa
edhe e maqedonasve”, ose është BDI-ja kjo e sotmja që urren, lufton dhe
tenton të shkelë ndaj çdokujt që përpiqet t’i tregojë se edhe opozita ka
rol të rëndësishëm në shoqëritë demokratike? Pyesim publikisht: a nuk
u vjen turp funksionarëve të deridjeshëm shtetërorë, përfshirë një ish
Kryeministër, një ish Ministër të jashtëm, një ish Ministër të
financave, e shumë e shumë të tjerë, që mandatet i kanë harxhuar për t’u
pasuruar dhe jo për të zgjidhur çështjen e hapur të gjuhës shqipe dhe
sot, pa pikë turpi çirren për gjuhën, kombin e gjakun?

Koalicioni VLEN bën thirrje tek qytetarët të mos bien në kurthin e
manipulimeve politike të BDI-së. Shqetësimi i vetëm i tyre është
zbulimi i korrupsionit marramendës të zyrtarëve të lartë dhe ish
funksionarëve qeveritarë. Lista e zezë amerikane e bëri të qartë
lidhjen vëllazërore mes Ali Ahmetit e Artan Grubit dhe Nikolla Gruevskit
e Sasho Mijallkovit. Pikërisht kjo është arsyeja e vërtetë përse janë
të shqetësuar dhe të frikësuar zyrtarët e lartë të BDI-së. Ora e
përgjegjësisë po afron.

Related posts

“Për 4-7 vjet do të ndërtohen 110 km autostradë” – me modelin e ri do të ndërtohen 23 km autostradë në vit

Gjyla Halili

Gjithçka gati për darkën e sodit “Si dikur në Rapsh të Hotit”

admin

“Dita e Plisit”, Shkupi sot feston Pavarësinë e Kosovës

Gjyla Halili