Kryeyari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, ka takuar mërgimtarët, të cilëve u ka thënë se janë frymëzim dhe motivim i pashtershëm për të, për pushtetin lokal dhe kërçovarët.
Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin dhe bashkëpunimin tuaj të vyer. Me respekt dhe mirënjohje të pakufishme, ka deklaruar Dehari.
Postimi i plotë:
Bashkë me mërgimtarët!
Të dashur shokë të mi, i nderuar kryetar i Shoqatës Uskana, shoku im Fadil, dhe të gjithë ju anëtarë të Shoqatës që nga themelimi i saj,
Bashkë me ambasadorin Rexhep Demiri, patëm kënaqësinë të takohemi me ju në Mynhen me rastin e ditës së flamurit të organizuar nga Shoqata Uskana dhe njëherit të vizitojmë edhe Qendrën Islamike, kryetarin dhe anëtarët e saj.
Ju jam thellësisht mirënjohës për pritjen e ngrohtë dhe respektin që treguat ndaj meje dhe ambasadorit.
Jam veçanërisht i lumtur për përkushtimin që tregoni në ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare dhe fetare.
Ky përkushtim reflektohet në edukimin dhe frymëzimin e fëmijëve tuaj, duke ruajtur identitetin dhe traditat tona edhe larg vendlindjes.
Me këtë shpirt bashkëpunimi dhe uniteti, do të ndërtojmë edhe më shumë edhe më bukur Kërçovën tonë.
Ju mbeteni frymëzim dhe motivim i pashtershëm për ne, për të punuar me përkushtim edhe më të madh për Kërçovën tonë të dashur.
Ju falënderoj përzemërsisht për kontributin dhe bashkëpunimin tuaj të vyer. Me respekt dhe mirënjohje të pakufishme,
Për ju dhe me ju për Kërçovën tonë!