Qeveria jolegjitime vazhdon të mbrojë dhe nuk e shkarkon Drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, i cili përveç që rrezultoi se është anëtar i VMRO-DPMNE, tani po del që nuk ka as fakultetin e nevojshëm dhe për më keq ka dorëzuar një diplomë fakulteti të shoqëruar me dyshime të fuqishme për falsifikim. I njëjti ka bërë shkelje ligjore dhe vepër penale me çka përmbush kushtet për shkarkimin urgjent të tij.
Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare duhet të ketë të mbaruar fakultet të shkencave shoqërore me 240 kredi, ndërsa drejtori aktual Bojan Hristovski, fillimisht ka përfunduar fakultetin për edukatë fizike me 180 kredi. Më pas për të mbuluar këtë dobësi dhe për të përmbushur kushtin ligjor është munduar të sigurojë një diplomë duke bërë shkelje edhe më të mëdha ligjore dhe duke bërë kështu edhe vepër penale për çka ndaj tij tanimë është hapur procedurë në prokurori. Kështu Hristovski ka dërguar një diplomë nga Universiteti për menaxhment dhe turizëm, që është e mbushur me përplot anomali. Fillimisht, drejtori në fjalë del rekorder absurd që për 1 vit akademik ka dhënë 40 provime që duhet t’i kalojë brenda katër viteve. Diploma sipas shumë treguesve është në kundërshtim edhe me vetë statutin e universitetin, është me vulë të vjetër dhe nuk përmban elementet kryesore. E gjjthë procedura është antiligjore dhe e shoqëruar me shumë parregullsi, për çka tanimë ndaj Bojan Hristovskit është hapur procrdurë në prokurori, që ligjërisht është kusht i mjaftueshëm për shkarkimin e tij. Edhe përkundër plotësimit të këtij kushti, Qeveria vazhdon ta mbrojë të njëjtin duke injoruar të gjitha faktet. E kuptojmë, por nuk e arsyetojmë kryeministrin dhe VMRO-në për tendencat për ta mbrojtur atë pasi që në fillim u kuptua se është kuadër i tyre partiak, por num arrijmë t’i kuptojmë ministrat e VLEN përse heshtin dhe nuk propozojnë shkarkimin e drejtorit të një institucioni aq me rëndësi në vend. Përse hesht edhe zëvendës kryeministri për qeverisje të mirë, i njohur ndryshe edhe për antikorrupsion? Mos vallë edhe ata ndjehen VMRO, apo kanë ndonjë lidhje edhe më të ngushtë me drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare?
– Aleanca për Shqiptarët –