Drejtori i Fondacionit “Hasan Prishtina”, z. Mehmet Prishtina, mori pjesë në inaugurimin e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tuz, një ngjarje e rëndësishme për Malësinë e Mbishkodrës dhe për shqiptarët kudo. Ai, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh, udhëtuam drejt Tuzit më 27 nëntor, ku ishim mysafirë në konakun z. Shtjefën Berishaj, i cili organizoi një darkë të ngrohtë dhe mikpritëse në restorantin Troja, dhe me insistimin e tij, vendosëm të qëndronim në konakun e tij, duke përjetuar një pritje tradicionale malësore që na ofroi momente të paharruara. Bisedat, të cilat u shtrinë nga e kaluara te e tashmja dhe e ardhmja e popullit shqiptar, vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të 28 nëntorit. Gjatë këtij takimi, u arrit konsensusi se uniteti mes shqiptarëve është kyç për forcimin e kombit dhe se realizimi i shtatores së Skënderbeut në Tuz, dikur një ëndërr e shqiptarëve të atij rajoni, tashmë ishte bërë realitet.
Dita e 28 nëntorit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, u shënua në Tuz me flamuj kuq e zi, duke krijuar një atmosferë madhështore. Gëzimi i të pranishmëve, i shprehur në fytyrat e secilit, ishte dëshmi e përpjekjeve të palodhshme të çdo shqiptari që e mundësoi këtë moment historik – sjelljen e Skënderbeut në Malësinë e Dedë Gjolulit. Momenti i shumëpritur erdhi, dhe shqiptarët nga të gjitha trojet, së bashku me mërgatën që kishte mbërritur nga anët më të largëta të globit, ishin të bashkuar për këtë ngjarje të paharruar. Shoqatat shqiptare nga Amerika, të cilat në kohë rekord mbuluan koston e ndërtimit të shtatores, ku luajtën një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti historik. Pas kësaj, ceremonia e inaugurimit të shtatores së Skënderbeut filloi, duke u shoqëruar me këngë, valle nga artistët më të njohur nga viset shqiptare. Monumenti i kryeheroit të popullit shqiptar u zbulua dhe u nderua nga të pranishmit, një moment që do të mbetet përherë në kujtesën e atyre që morën pjesë.
Më pas, në një ambient të ngrohtë dhe vëllazëror, nën shoqërimin e vëllezërve Frank Zef dhe Nikolle Berishaj, Shtjefën Berishaj, Pjetër Berishaj, Nikoll Dedvukaj dhe shumë malësorë të tjerë, drekuam dhe vazhduam festën deri në mbrëmje. Atmosfera e ngrohtë dhe e mbushur me shpirt malësor vazhdoi të mbizotëronte, duke forcuar më tej ndjenjat e unitetit dhe krenarisë kombëtare.
Për darkë, u pritem në konakun e Nikoll Dedvukaj, nga trungu i Dedë Gjolulit, ku, në një mjedis të ngrohtë dhe familjar, vazhduam festimet deri në orët e vona. Atmosfera ishte e mbushur me frymën e traditës malësore dhe dashurinë për historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Kjo festë e dyfishtë, që përfshinte si ardhjen e monumentit të Skënderbeut ashtu edhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ishte një kujtim i paharrueshëm për të gjithë ata që morën pjesë dhe kontribuan në këtë ngjarje të madhe.