AKTUALE

DUKE KUJTUAR SREBRENICËN, NE I JAPIM ZË TË DREJTËS PËR TË EKZISTUAR 

Nga Prof.dr. Skender ASANI

Me miratimin e Rezolutës për shpalljen e datës 11 korrik si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, rishqyrtohet politika e ndëshkimit të krimit shtetëror ndaj popujve të pambrojtur në Ballkan. Kjo rezolutë nxit dekriminalizimin e shoqërive dhe të shteteve, duke inkurajuar elitat politike dhe faktorët institucional që të merren më seriozisht me pastrimin e të kaluarës. Por pastrami i së kaluarës nuk mund të bëhet pa denacifikimin e institucioneve, një proces ky që është i vështirë, por i domosdoshëm, sidomos në këtë fazë kur Ballkani Perendimor synon të jetë pjesë e BE-së.
Rezoluta për Srebrenicën zbuloi edhe një fakt – që faji nuk mund të mbetet jetim përgjithmonë dhe se fajtorët duhet idenitifikuar për krimet montruoze që i kanë bërë mbi popullatën e pambrojtur civile.
Në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish Jugosllavinë janë zhvilluar disa procese gjyqësore, ku aktorë të ndryshëm janë shpallur përgjegjës për masakrën e Srebrenicës, me ç’rast janë shqiptuar edhe disa dënime. Por, sërish kishte mbetur diçka e mangët, sepse masakra e Srebrenicës sipas rëndësisë dhe pasojave që prodhoi kishte mbetur pa trajtimin e duhur juridik dhe etik, sipas dokumenteve e konventave ndërkombëtare të cilat kishin identifikuar të gjitha kushtet dhe rrethanat që e bënin një ngjarje të ketë karakter gjenocidal.
Dhe pikërisht masakra e Srebrenicës i plotësonte të gjitha parametrat që të ketë statusin juridik të një gjenocidi, kurse shtetet që e votuan rezolutën mbi këtë masakër dërguan një mesazh të fuqishëm sa i përket nevojës për një ndërgjegjësim të plotë të politikës.
Rezoluta mbi Srebrenicën sikur i dha të drejtë dhe e justifikoi vendimin e bashkësisë ndërkombëtare që në vitin 1999 të intervenojë ushtarakisht për të evituar në Kosovë një gjenocid të dytë, sepse ajo çka u tolerua në BeH nuk guxonte të përsëritej në një vend tjetër në ish Jugosllavi. Me këtë intervenim u bë e qartë se do të jenë të papranueshme politikat nacionaliste që dëmtojnë popujt tjerë dhe se asnjë krim në të ardhmen nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Mesazhi që doli nga Rezoluta mbi Srebrenicën fatkeqësisht nuk u kuptua drejt nga estabilshmetni politik në Beograd, dhe ky është një problem që tangon gjithë rajonin, sepse pa një reflektim, pa një ndërgjegjësim të elitave politike, Ballkani nuk mund të lirohet nga hipotekat e së kaluarës.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve do ta shënojë këtë ngjarje çdo vit në vazhdim, duke dashur të rikonfirmojmë edhe një herë angazhimin tonë për një shoqëri të lirë dhe të bazuar mbi kulturën e tolerancës dhe diversiteteve etnike e fetare.
Duke kujtuar Srebrenicën, ne kujtojmë çdo viktimë që padrejtësisht ka vuajtur pasojat e diskriminimit dhe krimit shtetëror, duke filluar që nga Holokausti e deri në luftën e fundit në Kosovë, ku pasojat e represionit serb nuk janë shëruar ende, një arsye kjo edhe më shumë që të punohet në një rezolutë të re ku do të dënohej gjenocidi serb në Kosovë.
Popujt në Ballkan kanë nevojë për paqë dhe për pajtim, kurse ngjarjet e hidhura të së kaluarës mund të shërbejnë vetëm si tregues se nga nuk duhet të orientohet e ardhmja e jonë.
Megjithatë, duke kujtuar Srebrenicën, ne i japim zë të drejtës së çdo kujt për të ekzistuar, një e drejtë kjo hyjnore që e tejkalon vullnetin e dimensioneve tokësore.

Shkup, 10. 07. 2024

Related posts

Mbahu nënë mos ke frig,se ke djem në Amerik,këngëtari Fran Lucaj:Malësi po vijmë

admin

Fronti Europian festë madhështore në qendër të Tetovës

Gjyla Halili

Kryetari Mitreski i shpalli zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 24 prill dhe 8 maj

Gjyla Halili