Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka njoftura sot opinionin për finalizimin e një hapi të rëndësishëm për realizimin e projektit më të madh infrastrukturor në vend, Korridorit 8 dhe 10D, respektivisht nënshkrimin e marrëveshjes për konsulencë juridike dhe mbikëqyrje të procesit të ndërtimit mes NP “Rrugët Shtetërore” dhe konzorciumit ndërkombëtar, IRD Engineering.
Ai njoftoi se pas nënshkrimit të këtij akti juridik, nga dita e nesërme do të mbahet mbledhje e Komitetit drejtues për Korridorin 8 dhe 10D për të inkuadruar në proces konsulentin dhe nga dita e hënë (06.02.2023) të fillojnë negociatat përfundimtare me konzorciumin ndërkombëtar Bechtel Enka.
“Ditë historike, nuk ka më asnjë pengesë, po fillojmë ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D!
Bashkë me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, zëvendësministrin Bekim Rexhepi, drejtorin e NP “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi dhe drejtorin e konzorciumit ndërkombëtar IRD Engineering, Paolo Orsini finalizuam sot hapin vendimtar për realizimin e projektit më madh infrastrukturor në vend, Korridorit 8 dhe 10D me nënshkrimin e marrëveshjes për procesin e konsulencës juridike dhe mbikëqyrës së procesit të ndërtimit. Pas nënshkrimeve të vendosura sot në këtë marrëveshje menjëherë nga dita e hënë do të mbajmë mbledhjen e Komitetit drejtues për Korridorin 8 dhe 10D për të filluar fazën e negociatave përfundimtare me konzorciumin Bechtel Enka. Falënderoj të gjithë ata që dhanë kontribut në realizimin e këtij procesi historik për zhvillimin e vendit!” – ka shkruar Grubi në faqen e tij zyrtare në Facebook.