Grupi i Punës së Rishikimit Periodik Universal (RPU) i Këshillit për të drejta të njeriut i Kombeve të Bashkuara (KB) në takim më 2 maj në Gjenevë, do t’i shqyrtojë për të katërtën herë të dhënat për gjendjen e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut, theksohet në kumtesën e sotme e Zyrës së KB-së në Shkup.
“Maqedonia e Veriut është një prej 14 shteteve që do të rishikohet nga Grupi i Punës RPU gjatë seancës së radhës që do të zhvillohet më datat 29 pril -10 maj. Rishikimi i parë, i dytë dhe i tretë RPU i Maqedonisë së Veriut janë zhvilluar në muajin maj 2009, janar 2014, respektivisht janar 2019”, theksohet nëkumtesë.
Grupi punues i RPU përbëhet nga 47 vende-anëtare të Këshillit për të drejta të njeriut, secila nga 193-të vende-anëtare të KB-së mund të marrë pjesë në rishikimin e vendit.
“Dokumentet mbi të cilët bazohet rishikimi përfshijnë: 1) raportin kombëtar – informacion që ofrohet nga shteti subjekt i rishikimit; 2) informacionet që përmbajnë raportet e ekspertëve dhe grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat njihen si Procedurat e veçanta, Organet e traktateve të të drejtave të njeriut dhe subjekte të tjera të OKB-së; 3) informacione të ofruara nga aktorët e tjerë, duke përfshirë institucionet vendase të të drejtave të njeriut, organizatat rajonale dhe grupet e shoqërisë civile”, shpjegohet në komunikatë.
RPU-ja është një proces që përfshin rishikimin periodik të të dhënave në lidhje me të drejtat e njeriut të 193 shteteve anëtare të OKB-së.
“Nga takimi i parë për këtë proces i mbajtur në muajin prill 2008, të gjitha 193 shtetet anëtare të OKB-së janë shqyrtuar tre herë. Gjatë ciklit të katërt të RPU-së, shtetet pritet që përsëri t’i bëjnë të ditura hapat që kanë ndërmarrë për të zbatuar rekomandimet e dhëna gjatë shqyrtimeve të mëparshme, të cilat kanë marrë angazhimin t’i zbatojnë, si dhe të theksojnë zhvillimet e fundit në lidhje me të drejtat e njeriut në vend”, potencohet në komunikatë.
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut do të kryesohet nga Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme. Të tre përfaqësuesit e shteteve që do të luajnë rolin e raportuesve (“trojka”) për rishikimin e Maqedonisë së Veriut janë: Shqipëria, Benini dhe Finlanda.