AKTUALE

Të hënën do të dihet nëse do të shtrenjtohet polica për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve

Komisioni i Sigurimit të Autopërgjegjësisë duhet të shqyrtojë Raportin e Byrosë Nacionale të Sigurimeve për arsyetimin dhe korrektësinë e vendimeve të marra për rritjen e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të automjeteve nga shoqëritë e sigurimit dhe të ndërmarrë hapat e duhur në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve.

Komisioni i auto përgjegjësisë, ku Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas Ligjit të Sigurimit të Detyrueshëm në Trafik (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr.88/05, 70/06, 81/08, 47/11, 135/11, 112/14 dhe 145/15) është themeluese dhe përbëhet nga anëtarët e Ministrisë së Financave, Byrosë Nacionale të Sigurimit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimit, është kompetent për përcaktimin e tarifës së primeve të sigurimit të automjeteve për pronarët e automjeteve për përgjegjësin e dëmeve të shkaktuara ndaj personave të tretë. Komisioni e përcakton preminë e sigurimit që e paguan kontraktuesi i sigurimit – i siguruari, dhe që përbëhet nga premia teknike që e përcakton Qeveria me propozim të Komisionit dhe një pjesë e premisë për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të shpenzimeve të zhdrejta (shpenzime regjie) që i përcakton vetë shoqëria e sigurimit me vendim të veçantë të shoqërisë së sigurimit.

Duke vepruar kështu, theksojmë se premia teknike e cila është pjesë e premisë së sigurimit që e paguan kontraktuesi i sigurimit – i siguruari dhe që e përcakton Qeveria me propozim të Komisionit, mbetet e pandryshuar.

Me vendimet e miratuara nga ana e shoqërive të sigurimit, të cilat i janë dorëzuar Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimit në datën 23 prill të vitit 2024, ndërsa me zbatim nga data 25 prill të vitit 2024 është kryer korrigjimi i çmimit në pjesën e premisë për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të shpenzimeve të zhdrejta (shpenzime regjie).

Ministria e Financave u informua  nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, si rregullatore e tregut të sigurimeve në vend, se shumica e shoqërive të sigurimeve kanë miratuar vendime dhe kanë dorëzuar  njoftim në Agjenci për rritjen e vlerës së premisë-bruto për sigurimin e auto përgjegjësisë më datë 23 prill të vitit 2024, me zbatim nga data 25 prilli të vitit 2024 dhe me ndërhyrje në pjesën e premisë për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të shpenzimeve të zhdrejta (shpenzime regjie) të cilat shoqëritë e sigurimit e përcaktojnë në mënyrë të pavarur.

Nga AMS vlerësojnë se rritja e çmimit të policave për sigurim të detyrueshëm automobilistik të detyrueshëm është hap i paarsyetueshëm i kompanive të sigurimit.

“Pas njoftimeve të mara nga kompanitë e sigurimeve se do ta rrisin çmimin janë bërë llogaritje për kontroll. Pas llogaritjeve të bëra është konstatuar se rritja e çmimit, me shpjegimet e dhëna, nuk është e arsyeshme”, thonë nga AMS.

Byroja Nacionale e Sigurimeve (BNS) njofton se kushtet aktuale të tregut shkaktuan domosdoshmëri për ndryshimin e çmimit të policës për sigurimin e detyrueshëm të veturave. Theksojnë se përqindjen e rritjes çdo kompani e sigurimeve vetë e definon, varësisht nga politika afariste dhe analiza e bërë. Nga aty sqarojnë se bëhet fjalë për kompani evropiane të cilat vendimet i marrin në bazë të analizave serioze shumëvjeçare, të cilat tregojnë se, siç thonë, biznesi për sigurim të autopërgjegjësisë është i paqëndrueshëm me çmimet e tanishme.

“Rritja e çmimit është shkaktuar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të risugurimit, automobilave, rritje e çmimit të pjesëve rezervë, rritjes së pagave dhe tendenca e vazhdueshme e madhe inflacioniste. Rritja e përgjithshme e çmimeve nga viti 2008 deri në vitin 2023 është 61,56 për qind. Njëkohësisht çmimi i sigurimit nga përgjegjësia automobilistike nuk ka ndryshuar tashmë 15 vjet dhe është kategoria e vetme në vendin tonë e cila nuk ka pësuar rritje të çmimit”, njoftojnë nga Byroja Nacionale e Sigurimeve, duke theksuar se çmimi i sigurimit të autopërgjegjësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është më i ulët në rajon.

Nga BNS theksojnë se çmimi i mëparshëm i auto sigurimit të detyrueshëm ishte çmim i jo tregut, shumë i ulët, në mesin e më të ultëve në rajon, nuk ka ndryshuar që nga viti 2008 dhe thonë se e vendos në pikëpyetje përfitimin nga puna e kompanive të sigurimeve në këtë klasë, duke vepruar në mënyrë demotivuese në ofertën e kësaj police.

“Pa rritje çmimi, ky biznes është i paqëndrueshëm dhe dalëngadalë do të braktiset nga kompanitë e sigurimit. Institucionet financiare kanë detyrimin të punojnë sipas parametrave të qëndrueshëm të përcaktuar rreptësisht, për të forcuar stabilitetin e sistemit financiar. Kujtojmë se në vitin 2008 çmimi i detyrimit automobilistik u ul me 30 për qind, por sot kushtet e funksionimit kanë ndryshuar dhe është e paqëndrueshme që kompanitë e sigurimeve të punojnë me çmime në këtë nivel”, bën të ditur Byroja Nacionale e Sigurimeve.

Rritjen e çmimit për policë të detyrueshme të sigurimeve nga ana e kompanive të sigurimeve dje në profilin e tij e tij në Fejsbuk e komentoi edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

“Është e papranueshme rritja e shumës së policës së sigurimit të detyrueshëm nga kompanitë e sigurimeve. Kjo mund të interpretohet si sulm i drejtpërdrejtë, apo ndërhyrje politike e kompanive të sigurimeve, sepse tarifa me ato rritje është dorëzuar dy herë në Qeveri dhe po dy herë nuk është miratuar në seancën e Qeverisë. Kjo është një mënyrë manipuluese me të cilën, jashtë procedurës së paraparë, kompanitë e sigurimeve gjejnë mënyrën për të rritur çmimin e autosigurimeve në kurriz të qytetarëve”, theksoi Bytyqi.

Ai i bëri thirrje Ministrisë së Financave si dhe Komisionit për Mbrojtje të Konkurencës të veprojnë për këtë rast.

“I bëj thirrje ministrisë përkatëse të Financave dhe Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës që të veprojë dhe të nisë një procedurë për shoqatat oligopolistike dhe kompanitë e sigurimeve të tërheqin rritjen e çmimit dhe pres që qytetarët që kanë paguar tashmë çmime më të larta të kompensohen”, shkroi Bytyqi në Fejsbuk.

Me vendimet e marra për rritjen e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve, polica që paguajnë qytetarët për regjistrimin e automjeteve me fuqi mbi 44 kilovat shtrenjtohet me 15,44 për qind. Rritja e çmimit është nga 840 në gati 1.600 denarë, varësisht nga fuqia e veturës.

Related posts

Ministri Lloga për vizitë pune në Arabinë Saudite

Gjyla Halili

Ministri Bekteshi: Zotim me banorët e Shuto Orizares se qëndrojmë pas vizionit të Ali Ahmetit

admin

Krenar LLoga, Ziadin Sela dhe Talat Xhaferi takim me bashkatdhetarët në Austri

Gjyla Halili