BOTA

BE: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

Bashkimi Evropian ka thënë të premten se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër çështjet më kyçe dhe më urgjente, derisa u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritur në dialogun që blloku e ndërmjetëson mes tyre prej vitit 2011.

I pyetur se çfarë mund të bëjë BE-ja për ta bindur Kosovën ta themelojë Asociacionin në 11-vjetorin e arritjes së marrëveshjes së parë këtë çështje, zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, paralajmëroi se Kosova do të përballet me pasoja nëse s’e zbaton atë.

Kosova dhe Serbia arritën për herë të parë marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare ua paraqiti palëve një draft për statutin që do të kishte ky asociacion. Palët, fillimisht, thanë se e pranojnë në parim, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e ka pranuar këtë draft-statut.

Çështja e Asociacionit është një prej çështjeve më kyçe dhe më urgjente. BE-ja, por edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, ishim shumë të qartë dhe mbetemi shumë të qartë ndaj autoriteteve të Kosovës, se duhet ta zbatojnë, sepse dështimi që ta bëjnë një gjë të tillë do të sjellë pasoja“, tha Stano, duke shtuar se e njëjta gjë vlen edhe për Marrëveshjen e Ohrit.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Por, Brukseli ka akuzuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjeve.

“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar [nga BE] janë dokumente të vlefshme dhe detyrime të palëve. Ato duhet të zbatohen. Dhe këtë po e përsërisim para palëve”, theksoi Stano.

Stano gjithashtu përsëriti se zbatimi marrëveshjeve është i lidhur me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt integrimit në BE.

“Nëse palët nuk i zbatojnë obligimet e tyre, atëherë do të ketë pasoja serioze. E të vetmit që do t’i ndiejnë këto pasoja, do të jenë njerëzit të cilët ata pretendojnë se po i mbrojnë. Të vetmit, pra, që do të paguajnë çmimin për mos zbatimin e obligimeve në dialog, do të jenë qytetarët në Kosovë dhe në Serbi“ nënvizoi zëdhënësi i bllokut.

Burimet brenda BE-së vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se të dyja palët “kanë dështuar seriozisht” në zbatimin e detyrimeve nga dialogu.

Sipas këtyre burimeve, Kosova mban përgjegjësi të madhe pse nuk ka pasur lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa shqetësuese është edhe refuzimi i Serbisë për t’i zbatuar disa detyrime nga Marrëveshja e Ohrit. /rel/

Related posts

Rusët që vdiqën pas përplasjeve me Kremlinin

admin

Transseksualet që u ofronin seks të huajve para se t’i grabisnin, përballen me 10 vjet burg në Kolumbi (fotot)

admin

Video/ Zbuloi se bileta që kishte paguar nuk ekziston, gruaja e tërbuar shkatërron sportelin e aeroportit

admin