Në Raportin e përvitshëm të publikuar sot, Organizata Transparency International konstaton se pjesa më e madhe e botës vazhdon të dështojë në luftën kundër korrupsionit. 95 për qind e vendeve kanë bërë pak, ose aspak përparim, që nga viti 2017, sipas raportit.
Por kur bëhet fjalë për Shqipërinë, në raport thuhet se Shqipëria ka përparuar me 1 pikë, me 36 nga 35 pikë vitin e kaluar.
Ajo renditet në vendin e 101, nga 183 shtete që vlerësohen në Raportin e “Transparency International”,
Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Transparency International”, thotë se “duke qenë ndryshim i vogël, ne e konsiderojmë atë vërtet si shenjë mospërparimi”.
“Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku po shohim këtë ngecje në vend. Një situatë pothuajse të ngjashme kemi dhe në Mal të Zi, ndonëse atje numri i pikëve është pak më i lartë. Gjithsesi, ajo që do të doja të nënvizoja dhe që ka shumë rëndësi është, se Ballkani Perëndimor si rajon dhe vendet brenda tij po tregojnë shumë pak përparim gjatë këtyre viteve. Madje dhe kur ka përparim, nëse ndodh një gjë e tillë, ai nuk është i qëndrueshëm”, thotë ajo.
Shqipëria ka të njëjtën sasi pikësh me Serbinë, Turqinë Ekuadorin, Kazakistanin, Panamanë, Perunë, Sri Lankën dhe Tajlandën.
Në anën tjetër, Kosova ka përparuar me 2 pikë, duke marrë 41 nga 39 një vit më parë.
Përmirësim me 1 pikë shënon dhe Maqedonia e Veriut, me 40 pikë. Edhe pse ka humbur 1 pikë, Mali i Zi renditet më mirë ndër vendet e rajonit, me 45 pikë, raporton Zëri i Amerikës.