“Pjesa më e madhe e të rinjve nuk largohen për shkaqe ekonomike, por për shkak të mosfunksionimit të sistemit. Në këtë sistem hynë sistemi ynë juridik. Të rinjtë duan të kenë siguri juridike. Duan kushte të barabarta për jetë, punë dhe për gara në të gjitha sferat e jetës” – tha Jakimovski.
Nga Llozova, Sveti Nikolle dhe Shtipi, kandidati presidencial i Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski, ka ftuar qytetarët që të dalin masovikisht në zgjedhjet e ardhshme, nëse e duan vendin.
“Maqedonia është peng i individëve. Qytetërat duhet të dalin në zgjedhje për t`i çuar mesazh pushtetit dhe opozitës, të cilët 30 vite po luajnë me popullin. Të dilet në votime për të dërguar mesazhin serioz se populli e do këtë vend, pavarësisht mohimeve nga vendi dhe jashtë vendit” – tha Dimitrievski.
Fushata presidenciale ka hyrë në javën e dytë. Gjithnjë e më shumë po nxehet retorika parazgjedhore. Kandidatët vazhdojnë tubimet dhe takimet me qytetarët duke promovuar platformat e tyre, por edhe duke bërë fushatë parlamentare për partitë apo koalicionet nga të cilat janë nominuar.