Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave apelojnë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj skemave të mashtrimit.
Duke konfirmuar rastet e abuzimeve, thirrja që bëhet për individët me llogari bankare është që asnjëherë të mos shpërndajnë të dhënat e tyre bankare përmes mesazheve, edhe pse mashtruesi mund të prezantohet si punonjës i bankës.
“Risitë shoqërohen edhe me rreziqe të reja, siç janë për shembull mashtrimet online apo ai që njihet në gjuhën financiare si phishing – një mënyrë e vjedhjes së identitetit që kryhet përmes dhënies vullnetare, por të pa informuar të të dhënave personale, si p.sh. numrat dhe fjalëkalimet e llogarive bankare, të cilat mund të përdoren më pas nga keqbërës për qëllime vjedhjeje. Pikërisht për të adresuar këto problematika, por edhe mbi shumë të tjera që lidhen me kulturën, Banka e Shqipërisë ka miratuar dhe po zbaton një strategji për edukimin dhe përfshirjen financiare, e cila përfshin sigurisht dhe fëmijët e të rinjtë”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
“Raste ka pasur, siç ka në të gjithë botën, por fatmirësisht kanë qenë të limituara në shuma të vogla dhe çdo rast që ka rritje të tyre, ne mundohemi të ndërgjegjësojmë individët sesi duhet të veprojnë dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Gjithmonë duhet të kenë në konsideratë që banka asnjëherë nuk kërkon me telefon të dhënat e tyre sensitive, si numri i kartës apo kodet e tjera. Çdo gjë nëse kërkohet, kërkohet nëpërmjet takimit fizik. Duhet të jenë shumë të kujdesshëm në ruajtjen e të dhënave sensitive sepse mund të bien pre e mashtrimeve”, tha Bledar Shella, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Të dhënat tregojnë se shqiptarët janë më të ndërgjegjësuar që kursimet apo veprimet e tyre të kalojnë përmes sistemit bankar, megjithatë, niveli nuk është ende i kënaqshëm, krahasuar me vendet e tjera.
“Paratë e shqiptarëve të jenë përmes sistemit bankar sepse aty janë më të sigurta se sa t’i kenë cash apo të mbrojtura në shtëpinë e tyre. Ndërkohë që sistemi bankar shqiptar është shumë i sigurtë dhe ne kemi opsione të ndryshme për rritjen e kthimit në depozita, në rastin e investimit në obligacione. Nga të gjithë indikatorët që ne shikojmë, janë në rrityje të ndjeshme, si pjesa e popullatës me llogari bankare,m ashtu edhe numri i transfertave që kanë një rritje të ndjeshme vit pas viti, numri i kartave bankare si karta krediti dhe debiti, numri I pagesave me POS, por do të thoja që jenmi ende larg me mesataren e rajonit dhe aq më tepër me mesataren evriopiane”, tha Shella.
Vitin e shkuar numri i llogarive në sektorin bankar u rrit me 4.2% krahasuar me një vit më parë, numri i pagesave me kartë me 35% dhe numri i veprimeve bankare në distancë me 22.1%.